Shënohet Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare

18:23 | 23 Gusht 2023
E.G

23 gushti shënon Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Në ish kampin e internimit të Tepelenës u organizua sot një ceremoni për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit.Studiues të periudhave të ndryshme kanë hedhur dritë mbi fakte të reja për ish kampin e Tepelenës dhe pasojat e internimeve dhe dëbimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri.

Persona që vuajtën, familjarë dhe të afërm ishin sot në ish Kampin e Interrnimit në Tepelenë, një nga kampet më famëkeqe të regjimit komunist. Nga viti 1945 deri në vitin 1954 rreth 3000 persona vuajtën interrnimin në këtë kamp, rreth 500 prej tyre humbën jetën, mes të cilëve rreth 300 fëmijë.

Gaspër Gjonmarku sot 81 vjeç thotë se pas arrestimit të gjyshit dhe të xhaxhait në Mirditë , atë e sollën së bashku me nënën në Teplenë.

“Kampi ishte një skëterrë dhe në shumë zona ishte i minuar pasi kishin qenë kazerma të ushtrisë në Luftën italo-greke”, thotë ai.

Gaspëri kujton edhe një histori tragjike ku një fëmijë ra në mina dhe humbi jetën.

Simon Mirakaj që vuajti në këtë kamp me familjarët e tij kujton se si 30 fëmijët humbën jetën brenda 24 orësh.

“Fillimisht na çuan në Turan. Aty ishin dy kazerma të ndërtuara nga italianët që u shërbenin gjatë luftës italo -greke. Mirëpo aty vdiqën 30 fëmijë brenda 24 orëve dhe kjo bëri një alarm në ministrinë e brendshme të asaj kohe dhe na hoqën nga Turani dhe na prunë në Tepelenë”, thotë ai.

Të afërm vunë sot lule në një memorial dhe pranë pishave që simbolizojnë jetën e fëmijëve të prerë në mes.

Pëllumb Macaj nga Dukagjini i Shkodrës thotë se në Kampin e Tepelnës kishte nëntë pjesëtarë të familjes dy prej të cilëve fëmijë nuk mbijetuan dhe ende nuk u janë gjetur eshtrat.

“Dy binjakë kanë vdekur dhe varri i tyre ashtu si i atyre 300 fëmijëve nuk dihet se ku ndodhet sepse tre herë i kanë spostuar këto varre. Nga dëshmia që kam nga babai dhe xhaxhai im ata kanë qenë njerëz që vinin nga një familje artizanale. Xhaxhai im Ndue Kolnika thoshte: besa e zotit me këto duar të mija kam bërë për një muaj mbi 100 arkivolë fëmijësh”, thotë ai.

Autoriteti i Dosjeve organizoi sot në bashkëpunimm me Bashkinë e Tepelenës një simpozium ndërkombëtar për të hedhur dritë mbi shumë fakte jo vetëm për ish Kampin e Tepelenës por edhe për proceset historike të interrnimeve dhe dëbimeve.

Drejtorja e Autoritetit të dosjeve Genta Sula tha se duhet që institucionet duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht për të nxjerrë në dritë të vërtetat historike.

“Familjet vijnë me kujtesën por ne kolektivisht ushqejmë përkujtimin. Kemi shtatë vite që vijmë në Tepelenë, mënyra si përkujtojmë Tepelenën është e ndryshme. Vitin e parë debati u bë a ka egzistuar ish kampi, kush ishte objekti, kush ishte qëllimi, sot flasim për të tjera gjëra. Flasim për zgjerim në kohë të narrativës, për përfshirje të institucioneve përtej kufijve të Shqipërisë. Pra çdo vit përkujtimi merr konotacionet e veta, pasurohet ,zgjerohet dhe do t`i shërbejë axhendës së Muzeut të ardhshëm të Tepelenës”, tha zonja Sula.

Ndërsa drejtuesi i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, Çelo Hoxha tha se disa botime sillnin intervista me dëshmitarë që vuajtën në kampet e internimeve në Shqipëri dhe humlumtimet vijojnë për të dhëna të reja.

“Janë tetë vëllime, i nënti do dalë për pak muaj me intervista të ish të përndjekurve politikë, të burgosurve,të internuarve, të dëbuarve për të njohur atë pjesë të historisë që është vështirë ta gjesh në dokumentet. Dhe në këtë histori një vend shumë të gjerë gjen historia e ish Kampit të Interrnimi të Tepelenës”, tha ai.

Së fundi edhe Ministria shqiptare e Arsimit ka firmosur me Autorietetin e Dosjeve një marrveshje për t’i afruar më shumë nxënësit dhe të rinjtë me memorien historike dhe pasojat e viteve të komunizmit.

Shkëlqim Allkja, drejtor i politikave të arsimit në këtë ministri tha se marrëveshja është mjaft e dobishme për të informuar brezin e ri për vuajtet e njerëzve në sistemet totalitare.

23 gushti shënohet në Shqipëri si Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, e përcaktuar nga Parlamenti Europian, dhe Këshilli i Europës për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit, – të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre. Kjo edhe për të sjellë një reflektim në shoqërinë shqiptare mbi krimet e regjimit komunist dhe pasojat e tyre./voa

Të ngjashme