Shefja e re e Komisionit Europian: Britania dhe BE-ja do të mbesin miq të ngushtë

22:28 | 8 Janar 2020
L G

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian do të jenë “miqtë më të ngushtë” mirëpo nuk do të jenë “të afërt si dikur” pas largimit të Britanisë nga blloku evropian, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von del Leyen.

Duke folur para se të diskutonte me kryeministrin britanik, Boris Johnson, ajo ka paralajmëruar se nuk ekziston mundësia e arritjes së një marrëveshjeje përmbajtësore deri në fund të vitit 2020.

Kryeministri britanik ka thënë disa herë që marrëveshja për Brexit do të finalizohet deri në dhjetor të vitit 2020.

Ajo ka thënë se moszgjatja eventuale e afatit të fundit nuk duhet të interpretohet ndryshe përveç si vendosje e prioriteteve.

Pas largimit të Britanisë nga BE-ja më 31 janar, Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në një periudhë tranzitore 11-mujore, në të cilën do të zbatojë rregullat e bllokut evropian mirëpo nuk do të përfaqësohet në institucionet e tij, shkruan Rel.

Kjo periudhë pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor.

Vetëm pasi Britania të largohet nga BE-ja, të dyja palët mund të diskutojnë për marrëdhënet e tyre ekonomike në të ardhmen.

Duke folur në njërin prej universiteteve të Londrës, Von der Leyen, ka thënë se BE-ja “është e gatshme të negociojë me ambicie për partneritet me Britaninë”, mirëpo ka paralajmëruar për “bisedime të ashpra”.

Ajo ka thënë se shpreson në arritjen e një marrëveshjeje të bazuar në “tarifa zero dhe kuota zero”, por edhe ka shtuar se “pa lëvizje të lirë, nuk mund të ketë liri të lëvizjes së kapitalit dhe shërbimeve”.

Ligjvënësit britanikë kanë miratuar planin për largim të kryeministrit, Boris Johnson më 20 dhjetor, vetëm tetë ditë pasi Partia Konservatore ka fituar zgjedhjet e përgjitshme në këtë shtet.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme