Google ADS

Shefja e FMN-së: Pandemia do të godasë PBB-në e 170 shteteve më 2020

11:18 | 21 Prill 2020
Arbresh Info

FMN pret që aktivitetet ekonomike globale të bien në nivelin e ngjashëm sikur në periudhën e “Depresionit të Madh”

Rreth 170 vende do të përballen me tkurrje të PBB-së së tyre këtë vit për shkak të ndikimit të koronavirusit të ri (COVID-19) në ekonomi, deklaroi menaxherja drejtuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

“Vetëm disa muaj më parë ne po projektonim 160 ekonomi që të regjistronin ngritje pozitive të rritjes së të ardhurave për frymë”, theksoi Kristalina Georgieva.

Pandemia është një “krizë si asnjë tjetër”, theksoi ajo, duke shtuar se kriza globale, e cila shkaktoi efekte të njëpasnjëshme në shëndet dhe ekonomi, është më komplekse dhe e pasigurt.

“Perspektiva është e keqe. Ne presim që veprimtaria globale ekonomike të bjerë në një shkallë që nuk e kemi parë që nga Depresioni i Madh”, theksoi Georgieva.

Duke iu referuar veprimeve të shteteve për të trajtuar virusin, shefja e FMN-së tha: “Masat fiskale deri më tani kanë arritur në rreth 8 trilionë dollarë dhe bankat qendrore kanë ndërmarrë injeksione masive të likuiditetit”.

Ajo shtoi se FMN maksimizoi aftësinë e saj të huadhënies për të siguruar burime financiare me shpejtësi për anëtarët e saj.

Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sëmundjen e ka shpallur një pandemi globale.

Deri më tani janë raportuar më shumë se 2,47 milion raste në të gjithë botën, me afro 170.400 vdekje. Mbi 652.000 njerëz janë shëruar nga virusi, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA./AA

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme