Kreu i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha në një intervistë me blogerin pro-Kremlinit, Konstantin Dolgov, se forcat ruse nuk ishin të gatshme t’i rezistonin futjes së fundit në rajonin e Belgorodit të Rusisë nga grupet anti-qeveritare, që deklaruan se po luftonin në anën e Ukrainës.
Kur u pyet për futjen në territorin rus, Prigozhin tha se ndërsa “grupet e trupave vullnetare ruse po hynin pa turp në rajonin e Belgorodit”, ushtria ruse “nuk ishte absolutisht e gatshme t’i rezistonte atyre”, transmeton Telegrafi.
Në intervistën e publikuar në kanalin Telegram të Dolgov, “Dolgov Speaks”, Prigozhin tha gjithashtu se beson se Ukraina tani ka një nga ushtritë më të forta në botë.
Pavarësisht pretendimit se Wagner pushtoi të gjitha territoret që ai planifikoi në lindje të Ukrainës, Prigozhin tha se “ukrainasit janë shumë të organizuar, të trajnuar, inteligjenca e tyre është në nivelin më të lartë dhe ata mund të operojnë çdo sistem ushtarak me sukses të barabartë, përfshirë sovjetikë dhe të NATO-s”.
Prigozhin pranoi se më shumë se 10,000 ushtarë të Wagner-it kishin vdekur në betejën për Bakhmut, dhe shtoi se Rusia nuk kishte arritur shumë në qëllimin e saj për “çmilitarizimin e Ukrainës”.
“Në fillim të operacionit special ushtarak, ukrainasit kishin, le të themi, 500 tanke, dhe tani ata kanë 5.000 tanke, dhe nëse atëherë vetëm 20.000 njerëz dinin të luftonin, tani janë 400.000 njerëz që dinë të luftojnë. Pra, si e kemi çmilitarizuar Ukrainën? Duket se bëmë të kundërtën, e militarizuam”, i tha Dolgovit.
Ai pretendon se trupat e tij morën kontrollin e plotë të qytetit të Bakhmutit më 20 maj, kurse Ukraina e mohoi këtë pretendim. /Telegrafi/
Shqipëri/ Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 e...
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës