Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte vizitoi të enjten Ukrainën, në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e detyrës. Ai u zotua për mbështetjen e vazhdueshme të aleancës për Kievin në luftën kundër Rusisë.
Rutte u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Kiev. Ndërsa kreu i aleancës ndodhej në kryeqytetin e Ukrainës, sirenat që njoftonin për sulme ajrore ranë dy herë.
Prej marrjes së detyrës të martën Rutte u zotua për të garantuar mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën, që po përballet me sulmin rus prej shkurtit të vitit 2022. Ndërkohë në pjesën më të madhe të këtij viti Kievi ka qenë në pozita mbrojtëse, për shkak të sulmeve të pamëshirshme ruse në rajonet lindore të vendit.
Rutte shprehu besimin se do të punojë me këdo që zgjidhet në nëntor president i Shteteve të Bashkuara, anëtari më i fuqishëm i aleancës. Ky mund të jetë një moment kyç për përpjekjet e Ukrainës për të siguruar mbështetjen e vazhdueshme perëndimore.
Zelenskyy tha se diskutoi me Rutte elemente të të ashtuquajturit plani i fitores së Ukrainës, përpara një takimi të NATO-s që do të mbahet në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, javën e ardhshme. Takimi bën bashkë udhëheqësit e mbrojtjes nga mbi 50 vende partnere, të cilët takohen rregullisht për të koordinuar ndihmën në armatime, për luftën.
Dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu mbi situatën në fushën e betejës dhe nevojat specifike të njësive ushtarake ukrainase. Zelenskyy përsëriti se Ukraina ka nevojë për më shumë armatime, përfshirë armë me rreze të gjatë veprimi.
I pyetur nëse lufta në Lindjen e Mesme do të ndikonte në afatet kohore që ai kishte parashikuar për zbatimin e planit të fitores, Zelenskyy vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara dhe Britania, kanë thënë se Irani ka furnizuar Rusisë me raketa dhe dronë për t’u përdorur kundër Ukrainës.
Ai u bëri thirrje vendeve perëndimore që të heqin kufizimet në përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga Perëndimi, për të goditur më thellë brenda territorit rus.
“Sigurisht që ne duam që Ukraina të mos harrohet. Por mënyra më e mirë për të mos harruar Ukrainën është që të sigurohen armët e duhura dhe lejet e nevojshme”, tha Zelenskyy në mënyrë që siç shtoi ai “të njëjtat raketa e dronë të furnizuara nga Irani, të rrëzohen në Ukrainë sikurse ndodhi në Izrael”.
Rutte përsëriti mbështetjen e palëkundur të aleancës për Ukrainën, duke theksuar se “Ukraina është më afër NATO-s se kurrë më parë”.
Ai tha se hapat e fundit të ndërmarra nga NATO “ndërtojnë një urë drejt anëtarësimit në aleancë” për Ukrainën, përfshirë 44 miliardë dollarë ndihmë financiare, marrëveshje dypalëshe të sigurisë mes aleatëve dhe formimin e një komande të re të NATO-s për të koordinuar ndihmën dhe stërvitjet ushtarake.
Rutte mbërriti pasi një bombë ruse goditi një bllok apartamentesh pesëkatëshe në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, duke plagosur të paktën 12 persona, përfshirë një vajzë 3-vjeçare, thanë zyrtarët lokalë të enjten.
Bomba goditi mes katit të tretë dhe të katërt të ndërtesës të mërkurën në mbrëmje, duke shkaktuar zjarr, tha guvernatori rajonal i Kharkiv, Oleh Syniehubov.
Qyteti i Kharkivit, që shtrihet rreth 30 kilometra nga kufiri rus, ka qenë objektiv i shpeshtë i sulmeve ajrore gjatë gjithë luftës, e cila tashmë po shkon drejt vitit të tretë të saj./voa
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...