Shefi i Pentagonit: SHBA kërkon nga Izraeli të reduktojë sulmet ndaj Bejrutit

21:55 | 19 Tetor 2024
R J

Shtetet e Bashkuara duan që Izraeli të reduktojë disa nga sulmet brenda dhe rreth Bejrutit, tha të shtunën Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin.

“Numri i viktimave civile ka qenë shumë i lartë”, tha ai. “Ne do të donim që Izraeli të reduktonte disa nga sulmet ndaj Bejrutit dhe rreth tij si dhe do të donim të shihnim një tranzicion tek negociatat, që do t’i mundësonte popullatës civilëve të të dyja palëve, të rikthehen në shtëpitë e tyre”, shtoi ai më tej.

Ndërkohë shefi i Pentagonit tha se nuk mund të konfirmonte njoftimet se Koreja e Veriut kishte dërguar trupa në Rusi, përpara se t’i dislokojë ato në Ukrainë. Zoti Austin shtoi se nëse një gjë e tillë do të ishte e vërtetë, do të ishte diçka shqetësuese.

Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut njoftoi të premten se Koreja e Veriut kishte dërguar 1500 forca speciale në Lindjen e Largët në Rusi për stërvitje dhe ambientim në bazat ushtarake lokale, dhe se kishte të ngjarë që ato të dislokohen për të luftuar në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, akuzoi Korenë e Veriut të enjten se po përgatitej për të dërguar 10,000 ushtarë për të ndihmuar agresionin rus në Ukrainë.

Shefi i NATO-s Mark Rutte, tha këtë javë se deri tani nuk ka prova të pranisë së Phenianit atje.

Rusia dhe Koreja e Veriut i kanë hedhur poshtë njoftimet se Pheniani mund të ketë dërguar personel ushtarak për të ndihmuar Rusinë kundër Ukrainës./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme