Shefi i OKB dënon ashpër sulmet e ushtrisë së Mianmarit ndaj civilëve

08:57 | 7 Qershor 2024
K.B

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka dënuar sulmet e fundit të ushtrisë së Mianmarit [Burmas], si pasojë e të cilave raportohet të jenë vrarë dhjetëra civilë në rajonin perëndimor, Rakhine.

Ushtria Arakan (AA) një grup etnik minoritar, i ka sulmuar forcat e ushtrisë shtetërore në Rakhine, në nëntor, duke i dhënë fund një armëpushimi që është zbatuar prej puçit ushtarak të vitit 2021.

Guterres “dënon ashpër sulmet e fundit prej ushtrisë së Mianmarit, të cilat raportohet se kanë vrarë dhjetëra civilë, përfshirë sulmet në rajonin Rakhine”, ka thënë zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric, përmes një deklarate.

Ushtria Arakan deklaron se po lufton për më shumë autonomi për popullsinë etnike në Rakhine, në të cilën banojnë rreth 600.000 anëtarë të minoritetit mysliman, Rohingya.

Shërbimet telefonike dhe ato të internetit janë ndalur në gjithë rajonin e Rakhinës, çka e ka vështirësuar verifikimin e raportimeve për dhunë.

Guterres ka bërë thirrje edhe për dhënie fund të “persekutimit të vazhdueshëm” të minoritetit Rohingya, që është në qendër të luftimeve mes dy grupeve.

Aktivistë të minoritetit Rohingya e kanë akuzuar Ushtrinë Arakan për zhvendosje të mijëra anëtarëve të komunitetit të tyre, si dhe për djegie dhe plaçkitje shtëpish.

Qindra mijëra Rohingya kanë ikur prej Rakhinës për në Bangladeshin fqinj, më 2017, si pasojë e shtypjes ushtarake, shkruan REL.

Aktualisht gjykata e OKB-së është duke e trajtuar një padi për gjenocid lidhur me ato zhvillime.

Të ngjashme