Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi më 17 nëntor se blloku ushtarak mund të paguante një çmim të lartë nëse largon shumë herët trupat nga Afganistani.
Mediat kanë raportuar se presidenti amerikan, Donald Trump, së shpejti do të tërheqë një numër të lartë të trupave amerikane nga vendi i shkatërruar nga lufta.
“Tani, përballemi me një vendim të vështirë. Ne kemi qenë në Afganistan për gati 20 vjet dhe asnjë aleat i NATO-s nuk dëshiron të qëndrojë më gjatë sesa është e nevojshme. Por, në të njëjtën kohë nëse largohemi shumë shpejt ose në një mënyrë të pakoordinuar, çmimi mund të jetë shumë i lartë”, tha Stoltenberg në një deklaratë.
Ai tha se Afganistani “rrezikon të bëhet edhe një herë një platformë për terroristët ndërkombëtarë për të planifikuar dhe organizuar sulme në vendlindjet tona”.
“Dhe ISIS (Shteti Islamik) mund të rindërtojë në Afganistan kalifatin terrorist që humbi në Siri dhe Irak”, tha ai.
Reagimi i Stoltenberg erdhi pasi raportet e medias thanë se Pentagoni kishte marrë direktiva për t’u përgatitur për të rikthyer edhe 2.000 forca të tjera amerikane nga Afganistani dhe 500 nga Iraku, para se presidenti i zgjedhur, Joe Biden, të inaugurohet më 20 janar.
Nëse ndodhë tërheqja, atëherë do të mbeteshin 2.500 trupa në secilin vend, më pak sesa, siç kanë thënë zyrtarët ushtarakë amerikanë, është e mjaftueshme për të siguruar stabilitetin.
Pentagoni nuk i ka konfirmuar raportet në lidhje me tërheqjen.
Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në muajin shkurt midis talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara, forcat e huaja do të largohen nga Afganistani deri në maj të 2021-ës në këmbim të garancive të talibanëve që të angazhohen për ndërprerjen e lidhjeve me Al-Kaidën dhe grupe të tjera militante ndërkombëtare.
Talibanët thanë në një deklaratë më 10 nëntor se mbeten të përkushtuar në zbatimin e marrëveshjes, pavarësisht nga mungesa e progresit në negociatat e paqes brenda-afgane në Katar.
NATO-ja mori përsipër përpjekjen ndërkombëtare të sigurisë në Afganistan më 2003. Më 2014, ajo filloi të trajnonte dhe këshillonte forcat afgane të sigurisë, por gradualisht ka tërhequr trupat në përputhje me një marrëveshje paqësore të ndërmjetësuar nga SHBA.
NATO mbështetet shumë në forcat e armatosura të SHBA-së në misionin e saj në Afganistan. /REL/
Rama: Dekada e fundit vendimtare për Shqipërinë, rol përcakt...
Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i jep fund apetit...
Der Spiegel: Kosova ka humbur rreth 12 për qind të popullsis...
“Ish krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, Rama nga Prish...
Masat e BE-së ndaj Kosovës, Rama: Duhet të hiqen- Barra duhe...
Bashkimi Evropian dërgon në Kosovë vëzhgues për zgjedhjet e ...