Një sulm rus në ndonjërën prej vendeve anëtare të NATO-s nuk mund të përjashtohet, ka thënë Christoph Heusgen, udhëheqës i Konferencës së Sigurisë të Mynihut, në një deklarim të shtunën, disa ditë para mbledhjes së liderëve botërorë dhe ekspertëve të mbrojtjes, në këtë qytet gjerman.
I pyetur nëse mendon që presidenti rus, Vladimir Putin mund të japë urdhër për një sulm të tillë, Heusgen ka pohuar.
“Putin e ka përsëritur që shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka qenë katastrofa më e madhe e shekullit 20, sepse ka rezultuar me shumë rusë të mbetur jashtë kufijve të Rusisë”.
Ai ka thënë se Putin synon rikrijimin e një Rusie të Madhe me kufijtë e dikurshëm të Bashkimit Sovjetik, për t’u bërë një perandori globale, të cilën ai do të mund ta udhëhiqte si car.
“Nëse Putin nuk e humb luftën në Ukrainë, duhet të kemi parasysh që mund të grabisë Moldavinë apo republikat baltike”, ka thënë ai.
Heusgen ka mohuar të spekulojë se çfarë do të bëjë Putini.
“Mirëpo, ne duhet të bëjmë gjithçka për t’u siguruar që Ukraina pranon armët dhe ndihmën ushtarake që i duhet për t’iu rezistuar me sukses agresorëve rusë dhe për t’i larguar ata prej territorit kombëtar”, ka thënë ai.Heusgen ka shërbyer si këshilltar për politikë të Jashtme për ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, në periudhën 2007-2017, përgjatë gati gjithë udhëheqësisë së saj.
Ai, më pas, është emëruar ambasador i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, para se të emërohej si shef i konferencës së Mynihut.
Duke folur para një moderatori republikan amerikan, Tucker Carlsonit, këtë javë, Putin ka thënë se Rusia nuk ka ambicie territoriale sa u përket Polonisë dhe Letonisë.
Ai ka thënë se një pushtim rus në këto shtete të NATO-s mund të ndodhë vetëm nëse Polonia e sulmon Rusinë.
Konferenca e Sigurisë e Mynihut do të mbahet më 16-18 shkurt, dhe në të pritet të marrin pjesë 50 udhëheqës botërorë.
Rusisë dhe Iranit nuk u janë dërguar ftesa./rel
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...