Udhëheqësit e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara u takuan me ministrin e Mbrojtjes së Izraelit më 26 mars, teksa Uashingtoni po paralajmëron kundër një pushtimi tokësor në qytetin jugor të Gazës, Rafah, por tensionet e rritura mes dy aleatëve vënë në pikëpyetje çdo përparim në këtë drejtim.
Në nisje të takimit në Pentagon, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se do të diskutojnë për mënyrat alternative për të sulmuar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian –në Rafah. Por, ai tha se numri i vdekjeve të civilëve në Gazë “është shumë i lartë” dhe se dërgesat e ndihmave “janë shumë të vogla”. Austin po ashtu përsëriti qëndrimin se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe se SHBA-ja gjithmonë do ta ndihmojë.
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, ndërkaq, vuri në pah kërcënimet e vazhdueshme me të cilat po përballet shteti i tij dhe tha se në këtë takim do të adresohen mënyrat për të shkatërruar Hamasin dhe për lirimin e pengjeve izraelite, por edhe për planet se si të kthehen në shtëpitë e tyre banorët e zhvendosur.
Austin nuk përmendi kërcënimet për të kufizuar apo kushtëzuar ndihmën ushtarake në të ardhmen për Izraelin apo për përfitimet humanitare, që janë një sentiment në rritje në mesin e anëtarëve të Kongresit amerikan. Dhe Gallant vetëm tha se takimi do të përfshijë diskutime lidhur me rëndësinë e bashkëpunimit mes dy shteteve “për t’u siguruar që ushtria izraelite ka aftësi”.
Takimi, në të cilin mes pjesë edhe gjenerali CQ Brown, i cili udhëheq Shtabin e Përgjithshëm amerikan, mbahet në kohën e rritjes së tensioneve mes SHBA-së dhe Izraelit, që janë nxitur për shkak të shqetësimit global lidhur me përshkallëzimin e krizës humanitare në Gazë dhe mosmarrëveshjeve politike sa u përket përpjekjeve për të arritur një armëpushim.
Një ditë më herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, papritur anuloi vizitën e një delegacioni të nivelit të lartë në Uashington, që ishte paraparë të zhvillohej gjatë javës, në shenjë proteste me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që miratoi një rezolutë që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm. SHBA-ja abstenoi, duke mos përdorur fuqinë e vetos, dhe rezoluta u miratua.
Izraeli thotë se nuk mund të mposhtë Hamasin pa hyrë në Rafah, ku thotë se grupi radikal ka katër batalione që kanë mijëra luftëtarë. Por, zyrtarët amerikanë po i bëjnë presion Izraelit që të heqë dorë nga pushtimi tokësor dhe të shqyrtojë të tjera mënyra për të mposhtur Hamasin.
“Ka mënyra të tjera për të adresuar kërcënimin që vjen nga Hamasi, duke marrë parasysh po ashtu sigurinë e civilëve”, tha një ditë më herët gjeneralmajori Pat Ryder, sekretar për media i Pentagonit.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Izraeli beson se afër 130 pengje po mbahen ende në Gazë, përfshirë edhe mbetjet mortore të 33 personave të vdekur.
Izraeli u kundërpërgjigj me sulme tokësore dhe ajrore në Gazë që kanë lënë të vrarë më shumë se 32.000 persona në Gazë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi./rel
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...