SHBA, votohet një marrëveshje buxhetore, shmanget mbyllja e qeverisë

16:33 | 21 Dhjetor 2024
R J

Senati amerikan ka votuar për të miratuar një marrëveshje buxhetore për të shmangur atë që do të ishte mbyllja e parë e qeverisë federale që nga viti 2019, vetëm disa orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të njëjtin ligj.

Marrëveshja e buxhetit u miratua menjëherë pas një afati të mesnatës me një diferencë dërrmuese prej 85-11. Projektligji nuk përfshin kërkesën e Presidentit të zgjedhur Donald Trump që ligjvënësit të rrisin sa para mund të marrë hua qeveria federale, duke treguar limitimet e tij për të komanduar ligjvënësit nga partia e tij. Projektligji tani i shkon presidentit Joe Biden për t’u nënshkruar në ligj.

Senati votoi pak pas orës 00:30 me kohe lokale me shumicën e demokratëve dhe republikanëve që mbështesin masën. Pa një marrëveshje financimi, miliona punonjës federalë do të kishin përfunduar ose në pushim të përkohshëm pa pagesë ose do të kishin lënë punë pa pagesë.

Një mbyllje do reduktonte rëndë operacionet për shërbimet publike si programet e ndihmës ushqimore dhe parashkollorët e financuar nga fondet federale. Mbyllja e fundit e qeverisë ishte gjatë mandatit të parë të Trump në 2019 dhe zgjati 35 ditë – më e gjata në historinë e SHBA.

Ligjvënësit në fillim të kësaj jave kishin negociuar me sukses një marrëveshje për financimin e agjencive qeveritare, por ajo u shpërbë pasi Trump dhe miliarderi teknologjik Elon Musk u bënë thirrje republikanëve ta refuzonin atë. Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë kritikua përfshirjen e Musk në proces, për të cilin ata theksuan se është një miliarder i pazgjedhur.

Musk, të cilin Trump e ka ngarkuar me shkurtimin e shpenzimeve qeveritare në administratën e tij të ardhshme, kishte lobuar shumë kundër një versioni të mëparshëm të projektligjit.

Gjatë debatit, republikanët thanë se prisnin një “epokë të re” me Trump që do të merrte detyrën më 20 janar dhe republikanët do të kontrollonin të dy dhomat e Kongresit. Aktualisht, Senati mbetet nën kontrollin e demokratëve./rtk

Të ngjashme