Departamenti amerikan i Shtetit tha se vlerëson partneritetin e vazhdueshëm të Serbisë “në luftimin e agresionit të Rusisë në Evropë dhe në ndihmën humanitare për popullin ukrainas”.
Në një përgjigje dërguar Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, DASH-i tha se bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara me udhëheqësit serbë është i fokusuar në “forcimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve tona, teksa Serbia ndërton të ardhme të sigurt dhe prosperuese në Evropë që është e paprekshme nga shantazhi politik dhe ekonomik i Rusisë”.
Ky institucion u pyet që të komentonte akuzat e bëra nga aktivisti rus, Andrei Pivovarov, i cili tha se zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ishte përfshirë në arrestimin e tij më 2021.
Por, nga DASH-i thanë se Vulin vazhdon të jetë në listën e sanksioneve amerikane.
“Qëndrimi ynë sa i përket Aleksandar Vulinit tashmë dihet. Ai vazhdon të jetë nën sanksione amerikane. SHBA-ja nuk ka asnjë rol në emërimin e pjesëtarëve të Qeverisë serbe”, tha DASH-i.
Vulin ishte ministër i Brendshëm i Serbisë kur Pivovarov u arrestua në maj të vitit 2021.
Pas lirimit të tij, që u bë në kuadër të këmbimit më të madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit më 1 gusht, aktivisti rus në një intervistë për të përjavshmen serbe, Radar, tha se ai ishte arrestuar pas informacionit për të që Vulin supozohet ai dha shërbimeve sekrete ruse.
Tre vjet më parë, pretendime të njëjta ishin bërë edhe nga gazetari dhe aktivisti rus, Vladimir Kara-Murza – po ashtu i liruar më 1 gusht – por, atëbotë Vulini kishte mohuar të gjitha akuzat.
BE-ja tha se “nuk jemi në pozitë” që të komentojë “për këtë rast specifik”.
“Çfarë ne mund të themi është se mbajtja e raporteve me Rusinë gjatë luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimi në BE”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Serbia është një prej shteteve të pakta evropiane që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës, gjë që Brukseli vazhdimisht kërkon nga Serbia që t’i vendosë sanksione, pasi është shtet që aspiron anëtarësimin në BE.
Stano shtoi se raportet me Rusinë “nuk mund të mbesin normale” duke pasur parasysh agresionin e Moskës ndaj Kievit.
Përfaqësuesit e organizatave opozitare nga Rusia kishin mbajtur një seminar në Beograd në maj të vitit 2021, pasi që një gjë e tillë nuk iu lejua në Rusi. Në fund të majit të atij viti, Andrei Pivovarov u arrestua.
Në intervistën dhënë për Radar më 18 gusht, Pivovarov tha se ai e konsideron Vulinin si bashkëpunëtor të autoriteteve ruse sa i përket arrestimit të tij.
Edhe pse ai beson se arsyeja kryesore e arrestimit të tij ishte që të mos i lejohej të garonte për Dumën shtetërore ruse, ai tha se roli i pretenduar i Vulinit në rastin e tij “rriti nivelin e reagimit” të autoriteteve në Rusi.
Në dhjetor të vitit 2021, gazetari dhe aktivisti rus, Vladimir Kara-Muza, i tha Radios Evropa e Lirë se arrestimi i Pivovarovit ndodhi pasi Vulin, që atëbotë ishte ministër i Brendshëm, e informoi Nikolai Patrushevin, që udhëhiqte Këshillin e Sigurisë të Rusisë, lidhur me takimin e aktivistëve rusë. Kara-Murza tha se aktivistët rusë ishin përgjuar në Serbi.
As MPB-ja serbe e as shërbimi serb i inteligjencës nuk iu përgjigjën kërkesës për të konfirmuar apo mohuar deklaratat e bëra nga aktivisti rus.
Vulin, që për një kohë të gjatë është partner koalicioni i partisë në pushtet, Partia Progresive Serbe, njihet për raporte të ngushta me Rusinë dhe udhëheqjen shtetërore.
Ai madje është nderuar me medalje nga Shërbimi Federal i Sigurisë të Rusisë (FSB) për “profesionalizmin e lartë dhe kontributin në bashkëpunimin mes shërbimeve serbe dhe ruse”. Ndërkaq, presidenti rus, Vladimir Putin, i ka ndarë atij “Urdhrin e Miqësisë”.
Mali i Zi “plotësisht gati” që ura mbi lumin Buna të përfund...
Qytetarët ankohen për ngecje të punimeve në rrugën Prishtinë...
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...