SHBA vendoset edhe në dy pika të tjera ushtarake në Siri

15:03 | 14 Nëntor 2019
Arbresh.info

Forcat amerikane të cilat po përpiqen të forcojnë praninë e tyre ushtarake në fushat e naftës në Siri, kanë filluar të ndërtojnë pika të tjera ushtarake duke u vendosur edhe në dy rajone të tjera në Al Ahasakah të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ushtria amerikane e cila zbrazi disa baza dhe pika ushtarake në veri të Sirisë gjatë operacionit “Burimi i Paqes” që zhvilloi Turqia, po forcon praninë e saj ushtarake në vijën kufitare dhe pikat e naftës në verilindje të vendit.

Sipas informacioneve që AA ka marrë nga burime të sigurta lokale, forcat e SHBA-së të cilat ndodhen gjithsej në pesë baza dhe pika ushtarake në qytetin Al Hasakah, kanë filluar punimet për ndërtimin edhe të pikave të tjera ushtarake në dy zona të Al Hasakah. Pas përfundimit të këtyre, do të rritet në shtatë numri i bazave dhe pikave ushtarake të SHBA-së në Al Hasakah.

Dy autokolona ushtarake janë larguar nga elementët e ushtrisë amerikane të vendosur në Irak, parmbrëmë natën dhe dje hynë në zonën e Al Qamishli të rajonit Al Hasakah nga pika kufitare El Yarubije, në kufirin Irak-Siri.

E përbërë nga 20 automjete të blinduara ushtarake dhe maune, autokolona mbërriti në zonën Kahtaniye rreth 6 km larg kufirit Turqi-Siri. Ushtarët amerikanë aty kanë filluar punimet për ndërtimin e pikës ushtarake ku do të vendosen.

Theksohet se në zonën Kahtaniye në lindje të rajonit Al Qamishli në kufirin Siri-Turqi, ndodhen rezerva të naftës.

Ndërsa një autokolonë e dytë me 10 automjete e cila hyri dje në rajon u vendos në fshatin Himo që ndodhet në perëndim të qendrës Al Qamishli, rreth 4-5 km nga kufiri me Turqinë.

Në dy pikat ushtarake në fjalë ku kanë nisur punimet e ndërtimit, tërheqin vëmendjen se ato ndodhen brenda kufijve të brezit të patrullimit të përbashkët Turqi-Rusi.

Falë pikave ushtarake që do të ndërtojë, SHBA-ja do të ofrojë edhe sigurinë e fushave të naftës në Al Hasakah, por do të forcojë edhe praninë e saj pranë kufirit të Turqisë. Mes dy pikave ushtarake që do të ngrihen ka një distancë prej rreth 35 km.

Forcat amerikane janë tërhequr nga Ayn al-Arab

Në anën tjetër mësohet se ushtarët amerikanë kanë zbrazur bazën Sirrin e cila ndodhet mbi rrugën tokësore M4 në jug të Ayn al-Arab (Kobani). Forcat amerikane gjatë operacionit “Burimi i Paqes” e zbrazën bazën Sirrin por më pas u kthyen sërish në bazë pas pezullimit të operacionit.

Në dy javët e fundit forcat e SHBA-së dërguan në rajon mbi 100 maune boshe për të zbrazur bazën Sirrin.

Duke shkatërruar edhe pistën e avionëve në bazën ajrore Sebit në afërsi të bazës Sirrin, ushtarët amerikanë në këtë mënyrë janë tërhequr plotësisht nga rajoni Ayn al-Arab.

Bazat dhe pikat ushtarake të SHBA-së në Siri

Forcat tokësore të ushtrisë amerikane përpara operacionit “Burimi i Paqes” që Turqia filloi më 9 tetor në Siri kundër organizatave terroriste, tregonin prani gjithsej në 22 rajone të cilat ajo i ka përdorur si baza dhe pika ushtarake në territorin e Sirisë.

Sipas informacioneve që gazetarët e AA-së kanë përpiluar nga terreni, bëhet e ditur se ushtria amerikane aktualisht vazhdon praninë e saj ushtarake në qytetet Al Hasakah, Deir ez-Zor dhe në Raqqa.

Gjatë operacionit “Burimi i Paqes” forcat amerikane u tërhoqën nga 16 baza dhe pika ushtarake, ndërkohë që me ndalimin e operacionit u rikthyen në 6 baza.

Forcat amerikane të vendosura pranë fushave të naftës, aktualisht kanë gjithsej 11 baza dhe pika ushtarake nga të cilat 5 në Al Hasakah, 4 në Deir ez-Zor dhe 2 në Raqqa.

Gjithashtu, AA edhe më 4 nëntor njoftoi se SHBA-ja kishte filluar punimet për ndërtimin e dy bazave të reja në rajonin Deir ez-Zor. SHBA-ja poashtu në këto rajone transferoi 250-300 persona personel ushtarak shtesë, automjete të blinduara, armë të rënda dhe municione.

Me përfundimin e ndërtimit të pikave në Al Hasakah, SHBA do të arrijë në 13 numrin e vendeve ku ajo është e vendosur në Siri, dhe me përfundimin e punimeve të ndërtimit në Deir ez-Zor numri i tyre do të arrijë në 15.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme