SHBA vendos tarifa të reja ndëshkuese për produktet e BE

09:52 | 1 Janar 2021
Arbresh.info

SHBA ka vendosur të ashpërsojë tarifat ndaj disa vendeve për shkak të mosmarrëveshjeve mbi subvencionet për prodhuesit e avionëve Airbus dhe Boeing. Janë prekur edhe prodhuesit e pijeve alkoolike.

SHBA dhe Bashkimi Evropian kaherë janë në grindje rreth subvencioneve për industrinë e aviacionit. Për 16 vjet me radhë vazhdojnë mosmarrëveshjet. Tani SHBA po zgjeron tarifat ndëshkuese. Në veçanti të prekura janë kompanitë që merren me prodhimin e pjesëve të avionëve nga Franca dhe Gjermania, por edhe prodhuesit e verës, konjakut dhe pijeve alkoolike të tjera nga këto shtete, bëri të ditur zyra e përfaqësuesit të tregtisë amerikane.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) i ka lejuar Bashkimit Evropian në nëntor të vendosë tarifa ndëshkuese me vlerë katër miliardë dollarësh në vit për produktet e SHBA-së, për shkak të ndihmave të paligjshme shtetërore amerikane për prodhuesin e avionëve Boeing. Shtetet e Bashkuara gjithashtu morën dritën jeshile në 2019 për tarifa shtesë në importe me vlerë 7.5 miliardë dollarë për shkak të subvencioneve të paligjshme të BE për konkurrencën evropiane të Boeing Airbus. Prej asaj kohe janë vënë tarifa ndëshkuese për importet nga Evropa si vera, djathi dhe vaji i ullirit ose uiski skocez, si dhe një taksë prej 15 përqind për avionët Airbus.

SHBA mendojnë se po mashtrohen
Qeveria amerikane tani akuzon Brukselin për marrjen e vendimeve të padrejta në vendosjen e tarifave, prandaj mendon se duhet të përgjigjet me kundërmasa. Për shembull, thuhet se BE e bazoi vendimin e vet në tarifat ndëshkuese në vëllimin tregtar të 27 shteteve të BE-së, duke përjashtuar Britaninë e Madhe, e cila ka rezultuar në masa më të larta si hakmarrje kundër SHBA-së. “BE duhet të marrë masa për të përmirësuar këtë padrejtësi,” tha përfaqësuesi i tregtisë.

BE shpreson se pasardhësi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, demokrati Joe Biden, do të pranojë të flasë për një zgjidhje të mosmarrëveshjes që po po zgjatë prej vitit 2004, rreth financimit të shtetit për kompanitë Boeing dhe Airbus. BE dhe SHBA e akuzojnë njëra-tjetrën për mbështetje të paligjshme të prodhuesve të tyre të avionëve./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme