SHBA vendos sanksione ndaj 4 gjeorgjianëve lidhur me shtypjen e dhunshme të protestave

07:51 | 17 Shtator 2024
R J

Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të hënën sanksione ndaj dy zyrtarëve të qeverisë gjeorgjiane dhe dy anëtarëve të lëvizjes pro-ruse të ekstremit të djathtë të vendit, të cilët tha se ishin të përfshirë në shtypjen e dhunshme të protestave.

Protesta të mëdha u zhvilluan në Gjeorgji kundër një ligji për “agjentët e huaj”, të cilin parlamenti i vendit e miratoi në maj, pavarësisht kritikave, përfshirë nga zyrtarët amerikanë, se ai ishte i frymëzuar nga Kremlini dhe kishte një karakter autoritar.

Në deklaratën e Departamentit të Thesarit thuhet se sanksionet financiare kanë në shnjestër shefin e Departamentit të Detyrave Speciale në Gjeorgji, Zviad Kharazishvili dhe zëvendësin e tij, Mileri Lagazauri, i cili mbikëqyri forcat e sigurisë që shtypën me dhunë protestat e pranverës.

“Dhuna e zbatuar me urdhër të Departamentit të Detyrave Speciale përfshinte rrahjet brutale të shumë pjesëmarrësve të protestave jo të dhunshme kundër ligjit të ri mbi ndikimin r huaj, duke përfshirë qytetarë gjeorgjianë dhe politikanë të opozitës”, thuhet në deklaratën e lëshuar të hënën.

Në Deklaratë thuhet se zoti Kharazishvili ishte përfshirë personalisht në abuzimin fizik të protestuesve.

Sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit, në shënjestër të këtyre sanksioneve është edhe Konstantine Morgoshia, themeluesi i kompanisë mediatike Alt-Info dhe personaliteti i medias Zurab Makharadze. Ata akuzohen për përhapje të dezinformatave, gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve.

Mosmarrëveshja rreth ligjit mbi agjentët e huaj u panë si një provë nëse Gjeorgjia, e cila për tre dekada ishte mes shteteve më properëndimore të dala nga Bashkimit Sovjetik, do të ruante orientimin e saj perëndimor apo do të afrohej më shumë me Rusinë.

Partia Ëndrra Gjeorgjiane që kontrollon parlamentin tha se legjislacioni ishte i nevojshëm për të siguruar transparencë në financimet nga jasthë të OJQ-ve dhe për të mbrojtur sovranitetin e vendit.

Uashingtoni ka kritikuar prej kohësh ligjin dhe ka nisur një rishikim të bashkëpunimit dypalësh me Gjeorgjinë.

Administrata e Presidentit Biden ka vendosur më parë ndalime të vizave për anëtarë të partisë Ëndrra Gjeorgjiane, anëtarë të parlamentit, organeve të zbatimit të ligjit dhe qytetarë privatë lidhur me ligjin për agjentët e huaj dhe protestat kundër tij./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme