Sulmet në masë me armë në Filadelfia, në Baltimorë, dhe në Forth Worth, Teksas, morën jetët e 10 personave në prag të Festës së Pavarësisë më 4 korrik, thanë zyrtarët – një kujtesë kjo e zymtë e dështimit prej dekadash të përpjekjeve për të ulur dhunën nga armët në Shtetet e Bashkuara.
Në Fort Worth, tre persona u vranë dhe tetë u plagosën në një sulm masiv me armë pas përfundimit të një festivali lokal, tha policia të martën.
Në një tjetër incident me armë në Filadelfia mbrëmjen e së hënës, pesë persona u vranë dhe dy u plagosën kur autori i dyshuar që mbante edhe jelek antiplumb hapi zjarr ndaj kalimtarëve të rastit, njoftoi policia.
Ndër të plagosurit ishte edhe një fëmijë dhe një adoleshent.
Sulmet me armë të mbrëmjes së të hënës erdhën pasi dy persona u vranë dhe 28 u plagosën, gati gjysma e tyre fëmijë, nga breshëri plumbash gjatë festës nëpër rrugët e një lagjeje në qytetin Baltimorë.
Presidenti amerikan Joe Biden dënoi dhunën dhe përsëriti thirrjen për të ashpërsuar legjislacionin për armët në Amerikë.
“Vendi ynë ka pësuar sërish një valë sulmesh tragjike dhe të pakuptimta me armë”, u shpreh presidenti nëpërmjet një deklarate të qarkulluar të martën. Presidenti Biden u bëri thirrje që “të ulen në tryezë për reforma domethënëse dhe të logjikshme” ligjvënësve republikanë, të cilët përgjithësisht kanë bllokuar përpjekjet për reforma domethënëse të ligjeve për sigurinë e armëve dhe kanë kundërshtuar përpjekjet e Presidentit Biden për të rivendosur një masë kufizimi për armët luftarake.
Motivi i tre sulmeve të fundit me armë nuk u bë menjëherë i qartë.
Shtetet e Bashkuara janë përballur me një numër të madh sulmesh masive me armë dhe incidente ku përfshihej dhuna me armë.
Ka patur deri më tani gjatë vitit 2023 mbi 340 sulme masive me armë, sipas të dhënave të mbledhura nga Arkivi për Dhunën me Armë, organizatë që i përkufizon sulme masive incidentet ku qëllohen të paktën katër persona, pa llogaritur autorin.
Nëse viti vazhdon me të njëjtin ritëm, sulmet masive me armë gjatë vitit kalendarik 2023 do të arrijnë në rreth 679, gati sa dyfishi i 336 sulmeve të regjistruara në vitin 2018.
Ky do të ishte niveli i dytë më i lartë vjetor i nëntë viteve të fundit.
Niveli më i lartë ishte ai i vitit 2021, kur u regjistruan 690 sulme të tilla.
Shtetet e Bashkuara kanë vdekjet më të shumta në raport me popullsinë, krahasuar me të gjitha vendet e tjera me të ardhura të larta, sipas analizës së Institutit për Vlerësimin dhe të Dhënat e Shëndetit, në Universitetin e Uashingtonit./voa/
Moti nesër: Diell dhe vranësira, temperaturat lëvizin nga -5...
Çaji që duhet të konsumoni për uljen e tensionit të lartë
Aksident me vdekje në aksin Gjirokastër-Tepelenë
SHBA ekspozojnë planin iranian për vrasjen e Donald Trump-it
Presidenti palestinez bisedë telefonike me Trump
Simptomat e demencës përkeqësohen ndjeshëm në këtë pjesë të ...