Të mërkurën, nënsekretari amerikan i Thesarit, Jay Shambaugh deklaroi se administrata Biden është e gatshme të ndërmarrë veprime specifike kundër Kinës për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe aleatëve të saj, si dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut.
Megjithatë, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në adresimin e sfidave globale.
Në dëshminë e tij të përgatitur para Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-së, Shambaugh tha se ndërprerja e lidhjeve ekonomike midis SHBA-së dhe Kinës do të ishte “një katastrofë” për të dy vendet, por tha se diçka e tillë ka shumë pak gjasa të ndodhë.
“Kur të jetë e nevojshme, ne do të përdorim një sërë mjetesh për të arritur qëllimet tona të sigurisë kombëtare. Është misioni ynë kryesor që të mbrojmë popullin amerikan nga rreziqet e sigurisë kombëtare, duke i komunikuar gjithashtu qartë pozicionin dhe synimin tonë Kinës për të reduktuar rrezikun e keqkuptimit”, tha Shambaugh, i cili drejton çështjet ndërkombëtare të Thesarit.
Administrata Biden po shqyrton vendosjen e kufizimeve të reja për investimet private që shkojnë nga SHBA në Kinë dhe vende të tjera.
Senati tashmë ka votuar në favor të legjislacionit që kërkon që kompanitë amerikane të informojnë agjencitë federale për investimet e tyre të propozuara në teknologjitë kineze, si gjysmëpërçuesit dhe inteligjenca artificiale.
Nënsekretari i Thesarit të SHBA, Jay Shambaugh, sqaroi se këto veprime nuk kanë të bëjnë me ndërprerjen e plotë të lidhjeve.
Në vend të kësaj, ato synojnë të arrijnë një marrëdhënie ekonomike “të drejtë dhe të shëndetshme nga e cila përfitojnë të dyja vendet, ndërsa mbështesin punëtorët dhe bizneset amerikane”.
Së fundmi, sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen vizitoi Pekinin për të rivendosur komunikimin dhe për të përcjellë mesazhe të ngjashme të administratës Biden për udhëheqësit ekonomikë të Kinës.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet, ndasitë e thella midis dy vendeve vazhdojnë.
Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime për praktikat ekonomike “jo-tregtare” të Kinës dhe ndërhyrjen e tepruar të qeverisë, të cilat krijojnë disavantazhe për kompanitë amerikane.
Gjithashtu SHBA kundërshton përdorimin e “shtrëngimit ekonomik” nga Kina për të ndëshkuar vendet për veprime diplomatike, duke vendosur kufizime në importe ose eksporte.
Shambaugh, i cili mori detyrën si diplomati më i lartë ekonomik i Thesarit në janar, tha se SHBA dhe Kina gjithashtu duhet të jenë në gjendje të bashkëpunojnë për sfidat urgjente globale, si ndryshimet klimatike dhe shqetësimi në rritje i borxhit në vendet në zhvillim./REL/
Qeveritë në Paris dhe Berlin mbeten pa para
Anisa Veseli, banorja më e re në BBVK
Komuna e Prishtinës vendos pllakë përkujtimore të dëshmorit ...
Pheniani e mban sekret brenda vendit lajmit se ka dislokuar ...
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Parashikimi i motit në Shqipëri, si do të ndryshojnë tempera...