SHBA tërheq gati 25 përqind të trupave nga Afganistani

01:55 | 26 Maj 2021
Trina Galanxhi

Ushtria amerikane tha se ka përfunduar gati një të katërtën e tërheqjes së trupave nga Afganistani.

“Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) vlerëson se kemi përfunduar midis 16-25% të të gjithë procesit”, thuhet në një njoftim të lëshuar të martën nga qendra komanduese, e cila mbikëqyr operacionet në Afganistan.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara gjithashtu tha se kishte tërhequr pajisje dhe materiale të ngjashme me rreth 160 ngarkesa të avionëve transportues C-17 nga Afganistani dhe i ka kthyer më shumë se 10,000 pajisje Agjencisë së Logjistikës Mbrojtëse.

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi muajin e kaluar se trupat amerikane do të largohen nga Afganistani deri më 11 shtator, pas një angazhimi gati 20 vjeçar ushtarak në vendin e shkatërruar nga lufta.

Në kohën kur u bë njoftimi i Presidentit Biden, të paktën 2,500 trupa amerikane ishin pjesë e misionit të NATO-s në Afganistan, i cili përbëhej nga më pak se 10,000 trupa. Tërheqja e forcave të NATO-s të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar frikë se lufta civile në Afganistan mund të intensifikohet dhe të dalë jashtë kontrollit.

Civilë afganë janë vrarë në një varg sulmesh që nga 1 maji, kur Shtetet e Bashkuara filluan zyrtarisht tërheqjen e trupave, dhe Talibanët kanë zgjeruar territoret e tyre në të gjithë vendin, duke përfshirë provincën Baghlan në veri, provincën Helmand në jug, provincën Farah në perëndim dhe atë të Laghmanit në lindje.

Është ende e paqartë nëse Talibanët do të mbajnë premtimin e tyre të bërë në shkurt të vitit 2020 për të shkëputur lidhjet me al-Kaidën. Grupi terrorist i al-Kaidës ishte përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001, që shkaktuan vrasjen e rreth 3,000 njerëzve në tokën amerikane.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell i kërkoi presidentit të martën që të “rishikojë” vendimin për t’u tërhequr, pasi ekipet e tij diplomatike dhe ushtarake i kanë kujtuar atij “rreziqet dhe pasojat me të cilat do të përballen ata”.

“Pas tërheqjes sonë, ekzistojnë shumë arsye për të besuar se al-Kaida do të rigrupohet në strehën e saj historike të sigurt. Nuk është një veprim strategjik të heqësh dorë nga avantazhi ndërsa armiku është ende në fushën e betejës”, tha senatori McConnell.

Forcat amerikane vranë Osama bin Ladenin, udhëheqësin e al-Kaidës që orkestroi sulmet e vitit 2001, gjatë një sulmi në kompleksin e tij në Abotabad të Pakistanit, në maj të vitit 2011.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë argumentuar se planifikimi për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen kërcënimeve nga Afganistani pasi tërheqja të ketë përfunduar është duke vazhduar, duke lënë të kuptohet në javët e fundit se ka patur një progres në sigurimin e marrëveshjeve bazë për të pozicionuar më mirë forcat amerikane të antiterrorizmit.

Por, përkundër një farë optimizmi, zyrtarët e administratës ende nuk kanë njoftuar ndonjë masë specifike për këtë.

“Është ende një punë në progres”, tha Milancy Harris, ndihmës sekretar i Pentagonit për Operacionet Speciale dhe Luftimin e Terrorizmit, të martën në një diskutim në internet.

Senatori McConnell vuri në dukje se fqinjët e Afganistanit si Irani, Pakistanin dhe vendet e tjera të Azisë Qendrore të ndikuara nga Rusia “nuk ka të ngjarë të lejojnë stacionimin e një numri të konsiderueshëm të trupave tona anti-terroriste në vendet e tyre”.

Zoti Harris shtoi se administrata po punon çdo ditë “për t’u siguruar që ne të mendojmë mirë dhe të marrim një qasje me të vërtetë të qëllimshme të planifikimit për tërheqjen.”

“Theksi im është tek shkallëzimi dhe aftësitë reaguese”, tha Harris, duke i quajtur përpjekjet amerikane të antiterrorizmit në Afganistan deri më tani një shembull se si ushtria mund të punojë në mënyrë efektive për t’iu kundërvënë grupeve terroriste./voa/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme