Google ADS

SHBA-të nxisin Kinën të ushtrojë ndikimin ndaj Iranit për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme

19:54 | 17 Tetor 2023
E.G

Kina ka nisur një të dërguar të posaçëm për Lindjen e Mesme për të ndërmjetësuar armëpushimin ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Nike Ching, Shtetet e Bashkuara kanë nxitur Kinën të përdorë ndikimin e saj në Lindje të Mesme për të parandaluar sulmet e aktorëve të ndryshëm ndaj Izraelit dhe zgjerimin e konfliktit.

Ndërkohë që Presidenti amerikan Joe Biden po përgatitet për vizitë në Izrael të mërkurën dhe Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken po zhvillon vizita në shumë shtete të Lindjes së Mesme në përpjekje për të shtensionuar situatën, Kina është aktivizuar duket dërguar në rajon një të dërguar të saj për të ndihmuar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi.

Sekretari Blinken mbajti një takim tetë orësh me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ndërkohë që Shtetet e Bashkuara janë angazhuar që të ndikojnë në hapjen e një korridori humanitar për dërgimin e ndihmave për civilët.

“Shtete e Bashkuara dhe Izraeli janë pajtuar të krijojn një plan që do të mundësojë dërgimin e ndihmës humanitare nga shtetet donatore dhe organizatat ndërkombëtare tek civilët – dhe vetëm civilët – në Gazë, përfshirë mundësinë e krijimit të zonave për t’u kujdesur që civilët të mos dëmtohen. Është tejet e rëndësishme që ndihma të fillojë të hyjë në Gazë sa më parë që është e mundur,” deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ndërkohë, Zoti Blinken ka biseduar edhe me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi gjatë fundjavës, në prag të vizitës së tij të planifikuar në fund të këtij muaji në Uashington. Ministri i Jashtëm kinez bisedoi pastaj me homologun e tij iranian.
Kina po dërgon një zyrtar të posaçëm në rajon, duke treguar gadishmëri për të thelluar angazhimin e saj në ndërmjetësimin e një armëpushimi të mundshëm ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Iranin dhe shtetet e tjera të mos e shfytëzojnë konfliktin dhe kanë nxitur Kinën që të angazhohet për shtensionimin e situatës në Lindjen e Mesme. Kina ka një marrëdhënie të afërt me Iranin. Në muajin mars, Kina ndërmjetësoi një marrëveshje normalizimi ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite.

“Kinezët arritën këtë sukses sepse kanë marrëdhënie me dyja palët. Kina ka gjithashtu interesa të rëndësishme ekonomike dhe të burimeve natyrore, një kontratë afatgjatë karburantesh me Iranin, si pjesë e së cilës tani kanë dislokuar disa pajisje detare për të siguruar eksportet e naftës dhe gazit. Pra, në të gjitha aspektet, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, roli i Kinës po rritet,” tha ish ambasadori amerikan në Izrael, Daniel Kurtzer.

Disa zyrtarë amerikanë janë skeptikë se Kina mund të ndërmjetësojë një zgjidhje të qëndrueshme politike për konfliktin e gjatë izraelito-palestinez, duke pasur parasysh se Irani është përkrahës historik i Hamasit. Kina ka dënuar “veprimet kundër civilëve”, por nuk e ka dënuar Hamasin në mënyrë të qartë.

“Hamasi nuk e pranon zgjidhjen me dy shtete. Hamasi nuk e pranon shtetin e Izraelit. Hamasi në thelb, dëshiron të shkatërrojë shtetin e Izraelit dhe të vrasë izraelitë. Mbetet të shihet nëse Kina e ka aftësinë të jetë një ndërmjetës i vërtetë,” tha Ambasadori amerikan në Kinë, Nicholas Burns.

Këtë javë, Kina po organizon këto ditë një takim me zyrtarë nga 130 vende, që janë pjesë e Nismës Një Rrugë, Një Brez. Presidenti rus Vladimir Putin do të jetë i pranishëm, ndërkohë që shteti i tij vazhdon luftën kundër Ukrainës për vitin e dytë me radhë. Njëkohësisht, Pekini është ofruar të jetë ndërmjetësues paqeje ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës./voa

Të ngjashme