Zyrtarët amerikanë do të zhvillojnë bisedime me përfaqësuesit talibanë. Ky do të jetë takimi i parë që prej se SHBA-ja u tërhoq nga Afganistani dhe grupi islamik mori kontrollin e vendit në muajin gusht.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se delegacioni i SHBA-së do ta takohet më 9 dhe 10 tetor me përfaqësuesit e talibanëve në Doha të Katarit, ku zyrtarët amerikanë u takuan me negociatorët talibanë gjatë viteve të fundit, në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje të paqes.
“Ne do të bëjmë presion që talibanët të respektojnë të drejtat e të gjithë afganëve, përfshirë grave dhe vajzave, dhe të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse me mbështetje të gjerë”, tha një zëdhënës amerikan.
“Teksa Afganistani përballet me mundësinë e një tkurrjeje të madhe ekonomike dhe një krizë të mundshme humanitare, ne gjithashtu do t’i bëjmë presion talibanëve që t’u lejojnë qasje agjencive humanitare në zonat ku ka nevojë”, shtoi ai.
Ky takim nuk do të thotë se SHBA-ja zyrtarisht e njeh sundimin e talibanëve në Afganistan, tha Departamenti i Shtetit.
“Ky takim nuk ka të bëjë me dhënien e njohjes apo dhënien e legjitimitetit. Ne jemi të qartë se çdo legjitimitet duhet të fitohet nga veprimet e vet talibanëve”, tha ky zyrtar.
Delegacioni i SHBA-së do të përfshijë zyrtarë të DASH-it, USAID-it dhe komunitetit amerikan të inteligjencës, thanë zyrtarët.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Zalmay Khalilzad, i cili për vite me radhë ka udhëhequr delegacionin negociues të SHBA-së me talibanët në Doha, nuk do të jetë pjesë e delegacionit, tha Reuters, duke cituar një zyrtar amerikan.
Delegacioni amerikan pritet po ashtu që të kërkojë nga talibanët që të ofrojnë rrugë të sigurt për largimin e qytetarëve amerikanë dhe të tjerëve që duan të largohen nga Afganistani si dhe lirimin e qytetarit të rrëmbyer amerikan, Mark Frerichs./rel
Rutte flet me Erdoganin për situatën e sigurisë në Kosovë
Vera e ardhshme pritet ta gjej në skuadër të re Fisnik Aslla...
Programi “ALBAdapt”, Kumbaro: Kapitull i ri, përgatit Shqipë...
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...