SHBA: Synojmë uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme

07:57 | 14 Gusht 2024
E.G

“Shtetet e Bashkuara po synojnë uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme”, ka qenë kjo deklarata e bërë nga ambasadorja e SHBA në OKB, teksa frika e një sulmi hakmarrës iranian ndaj Izraelit po afrohet.

Linda Thomas-Greenfield i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork se SHBA-të donin të shmangnin konfliktin rajonal.

Presidenti amerikan Xho Bajden (Joe Biden) sugjeroi se arritja e një marrëveshjeje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza mund të ndihmojë në pengimin e Iranit nga nisja e një sulmi ndaj Izraelit.

Kjo është pritshmëria ime, por do të shohim. Ne do të shohim se çfarë do të bëjë Irani dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë nëse do të ketë ndonjë sulm, por unë nuk po dorëzohem,” tha ai, ndërsa po dilte nga avioni i tij gjatë një vizite në New Orleans, Luiziana.

Një raund i ri i bisedimeve për armëpushim është planifikuar të zhvillohet në Doha ose Kajro të enjten (15 gusht).

Por zyrtari i Hamasit, Ahmad Abdul Hadi ka thënë se Hamasi nuk do të marrë pjesë në bisedime.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shtyu planet për të udhëtuar në Lindjen e Mesme të martën për të marrë pjesë në negociatat për përfundimin e luftës në Gaza.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë nga SHBA, Egjipti dhe Katari kanë bërë presion për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve izraelite.

Ndërkohë, Uashingtoni ka miratuar gjithashtu një dërgesë shitjesh armësh me vlerë 20 miliardë dollarë (15.5 miliardë £) në Izrael.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme