“Diçka do të bëhet”, tha presidenti amerikan Donald Trump, në përgjigje të sulmeve kimike të regjimit të Assad, në Siri dhe menjëherë mbajti fjalën e dhënë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën një ofensivë ajrore ndaj Sirisë, ku si objektiv i sulmeve ishte aeroporti ushtarak sirian “Al-Shayrat”.
Marina amerikane e Mesdheut ka goditur 56 herë, me raketa “Tomahaëk”, në aeroportin ushtarak dhe zonën ku u përdorën armët kimike. Sulmi filloi në orën 04:40 të mëngjesit të së premtes, sipas orës siriane, ose 03:40 sipas orës shqiptare.
Zyrtarët konfirmojnë se në këtë ofensivë nuk është përfshirë akoma asnjë avion luftarak, por është goditur vetëm me raketa.
Nga resorti i tij luksoz “Mar-a-Lago”, presidenti Donald Trump konfirmoi urdhrin për të sulmuar mbi Siri dhe i bën thirrje të gjithë kombeve të civilizuara, të ndihmojnë për t’i dhënë fund konfliktit sirian.
“Sonte i bëj thirrje të gjithë kombeve të civilizuara, të na bashkohen neve, për të kërkuar t’i japim fund kësaj masakre e gjakderdhjeje në Siri dhe për t’i dhënë fund terrorizmit të të gjitha llojeve”, u shpreh Trump, menjëherë pas nisjes së ofensivës ajrore.
Gjithashtu, mësohet se presidenti Trump ka urdhëruar sulme masive ushtarake kundër Sirisë, në përgjigjë të përdorimit të armëve kimike, nga ana e regjimit të Assad-it.
Burime ushtarake siriane kanë konfirmuar se sulmi ajror amerikan ka sjellë humbje në radhët e tyre, ndërsa zyrtarët lokalë kanë konfirmuar se ka disa të vdekur, por ende nuk kemi një bilanc të parë të këtij sulmi.
Mësohet se SHBA-ja ka vënë në dijeni edhe Rusinë për nisjen e kësaj ofensive, ndërkohë që Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, hodhi edhe akuza ndaj tyre.
“Rusia ka dështuar në përgjegjësinë e saj për të menaxhuar situatën në Siri. Sulmi ynë ndaj Sirisë tregon vendosmërinë e presidentit Donald Trump për të ndërhyrë, kur vendet e kalojnë ‘vijën e kuqe”, tha Tillerson në një konferencë për shtyp, pak minuta pas ofensivës ajrore mbi Siri.
Për këtë ofensivë ka reaguar edhe televizioni kombëtar sirian, duke i cilësuar sulmet e SHBA-ve, si një akt agresioni.
Kjo lëvizje e SHBA-ve ishte paralajmëruar gjatë ditës së enjte, nga ana e presidentit Donald Trump, në bisedën me disa anëtarë të Kongresit.
“Kjo nuk duhet të ndodhte. Kjo nuk duhet lejuar të ndodhë”, u shpreh Trump, kur denoncoi atë që ai e quajti “krim skandaloz”, sulmin me armë kimike në Siri.
Ende nuk dihet nëse sulmi amerikan mbi siri do të përshkallëzohet, apo Trump do të mjaftohet vetëm me dërgimin e këtij sinjali ndaj Assad-it.
Kroacia synon të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak ...
Ngjarjet e ditës së sotme
Begaj uron Krishtlindjet: Kjo festë e ndritur na fton të ref...
Vajzat e shtëpisë e ‘kallin’ festën me kërcime sensuale
Disa kuriozitete rreth Krishtlindjes
Rama: Ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë, gëzuar Kri...