Ai mund të njihet më mirë nëpër botë si babai i kompanive Tesla dhe SpaceX. Por pas pak muajsh, Elon Musk pritet të merret me shpenzimet e qeverisë amerikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti shpjegon se çfarë aftësish do të sjellë zoti Musk në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë.
Elon Musk, i njohur si truri pas kompanive SpaceX dhe Tesla, do të përqëndrohet tek shpenzimet e qeverisë në një entitet të ri që do të quhet Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), akronimi i të cilit përkon me emrin e një kriptomonedhe.
“Do t’jua heqim qeverinë nga kurrizi dhe xhepat tuaja”, deklaroi zoti Musk.
Agjencia e re DOGE synon të shkurtojë rreth 2 trilionë dollarë shpenzime, pra rreth një të tretën e buxhetit të qeverisë, dhe tre të katërtat e punonjësve të qeverisë.
“E ardhmja do të jetë mahnitëse!”, tha zoti Musk.
Ai nuk ka përvojë qeveritare, ashtu siç ishte edhe rasti me Donald Trump-in kur kandidoi për herë të parë. Por, kompanitë e tij SpaceX dhe Tesla kanë rezultuar efikase, veçanërisht me riorganizimin e linjës së prodhimit të makinave Tesla. Gjatë pandemisë COVID-19, zoti Musk zhvendosi zyrat qendrore të Teslas nga Kalifornia në Teksas, duke fajësuar rregulloret e tepërta dhe kostot e larta.
Ai dhe bashkëkryetari i agjencisë së re DOGE-s, sipërmarrësi miliarder Vivek Ramaswamy, pritet të ndjekin një proces të ngjashëm dhe të eliminojnë shumë rregullore federale. Për të reduktuar kostot, entiteti i ri DOGE do të sugjerojë mbylljen e disa agjencive dhe do të ndërmarrë hapa për të nxitur dorëheqjet masive të punonjësve federalë duke i dhënë fund programeve popullore të punës në distancë dhe duke zhvendosur disa zyra jashtë Uashingtonit.
“Do t’u duhet të mësojnë dhe të kuptojnë se presidenti nuk është mbret – ose të paktën nuk supozohet të jetë në këtë vend – dhe se do të përballen me probleme kushtetuese. Do të përballen me ligjet dhe nevojën për autorizim nga Kongresi”, thotë sindikalisti Steve Lenkart, nga Federata Kombëtare e Punonjësve Federalë.
Për këtë qëllim, zoti Musk dhe zoti Ramaswamy vizituan rishtazi Kongresin. Shumë ligjvënës mbështesin objektivin e deklaruar të entitetit të ri DOGE për të shkurtuar shpenzimet qeveritare, por ka të ngjarë t’i rezistojnë shkurtimeve që ndikojnë tek votuesit e tyre. Të tjerë e dinë se dy sipërmarrësit kanë një komunikim të drejtpërdrejtë me presidentin e zgjedhur.
Zoti Musk dhe nëna e tij festuan Ditën e Falënderimeve me Presidentin e zgjedhur Donald Trump në Mar-a-Lago, ndërsa zoti Ramaswamy postoi në Instagram pamje ndërsa lexonte në plazh gjatë Ditës së Falënderimeve se si duhet të zvogëlohet buxheti.
“Nuk di nëse e keni njohur tashmë Elonin, por ai nuk vjen me daltë. Ai vjen me motosharrë. Dhe do ta përdorim atë për burokratët”, tha zoti Ramaswamy.
Entiteti i ri DOGE u krijua si një komision këshillimor i jashtëm që do të rekomandojë shkurtime për administratën e Presidentit Trump dhe Kongresin, që do të ketë autoritetin përfundimtar mbi çdo vendim.
Zoti Musk dhe zoti Ramaswamy nuk do të marrin rrogë nga qeveria.
SHBA
Elon Musk dhe Vivek Ramaswamy gjatë hyrjes në Kapitol
SHBA, si do të shkurtojnë shpenzimet e qeverisë dy sipërmarrësit miliarderë
Zyrtarët amerikanë: Shumica e dronëve të parë në Nju Xhersi janë mjete ajrore me pilot
Ndihmat amerikane për vendet e tjera gjatë administratës së ardhshme/voa
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...
Fejohet Kida, merr propozim për martesë nga i dashuri i saj
Mbappe dhe Valverde të “pamëshirshëm”, realizojnë dy supergo...