Google ADS

SHBA shtyn përpara zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez

07:39 | 30 Tetor 2023
E.G

Përderisa lufta Izrael-Hamas është në javën e tretë, me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që ka paralajmëruar se do të jetë një fazë e re “e gjatë dhe e vështirë”, presidenti amerikan, Joe Biden, po u kërkon Izraelit dhe liderëve arabë që të mendojnë mirë për realitetin eventual pas luftës.

Sipas Bidenit, prioritet duhet të jetë gjetja e një marrëveshjeje për zgjidhjen me dy shtete për konfliktin e gjatë izraelito-palestinez.

“Nuk mund të kthehemi në status quo siç ishte para 6 tetori”, tha Biden për gazetarët, duke iu referuar një ditë para se militantët e Hmasit të sulmonin Izraelin dhe të nxisnin luftën e fundit. Shtëpia e Bardhë tha se Biden e ka përcjellë këtë mesazh direkt te Netanyahu gjatë bisedës telefonike që liderët kanë zhvilluar javën e kaluar.

“Kjo po ashtu nënkupton se kur të mbarojë kriza, duhet të ketë një vizion se çfarë vjen më pas dhe sipas mendimit tonë duhet të jetë zgjidhja me dy shtete”, tha Biden.

Shtytja për zgjidhjen me dy shtete – sipas së cilës Izraeli do të bashkëjetonte me një shtet të pavarur palestinez – nuk ka qenë e suksesshme nga presidentët e SHBA-së dhe diplomatët në Lindjen e Mesme për dekada. Kjo zgjidhje është lënë në harresë që kur përpjekjet e fundit për bisedime të paqes – të udhëhequra nga SHBA-ja – dështuan më 2014 pas mospajtimeve lidhur me vendbanimet izraelite, lirimin e të burgosurve palestinezë dhe çështje të tjera.

Shtetësia palestineze është diçka që Biden pak e ka përmendur në fillim të mandatit të tij. Gjatë vizitës në Bregun e pushtuar Perëndimor vitin e kaluar, Biden tha se “kushtet nuk janë pjekur” për përpjekjet e reja për të arritur një paqe të përhershme, edhe pse para palestinezëve ai përsëriti mbështetjen e kamotshme të SHBA-së për shtetësi.

Tani kur shqetësimet janë rritur se lufta Izrael-Hamas mund të shndërrohet në një konflikt më të gjerë, Biden ka filluar të përsërisë se kur bombardimet dhe të shtënat të përfundojnë, puna drejt një shteti palestinez më nuk mund të injorohet.

Deri pak kohë më parë, Biden më shumë kishte vënë theksin në atë që administrata e tij e shihte si ambicie të realizueshme për normalizimin e raporteve midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë sesa në rifillimin e bisedimeve të paqes.

Edhe këshilltari i tij për siguri kombëtare, Jake Sullivan, në një ese të gjatë të shkruar para sulmit të 7 tetorit, ku kishte përshkruar qëllimin e Bidenit në politikë e jashtme, nuk kishte përmendur përpjekjet për shtetësinë palestineze. Por, në një version të përditësuar të esesë për politikën e jashtme që u publikua online, Sullivan shkroi se administrata amerikane është e përkushtuar “për zgjidhjen me dy shtete”. Ai po ashtu tha se bisedimet për normalizim gjithmonë kanë përfshirë propozime të rëndësishme nga të cilat përfitojnë palestinezët.

Megjithatë, për vizionin e Bidenit pasi të përfundoi lufta ka mjaft pengesa. Një shtet i pavarur palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gazë është një opsion i papranueshëm për Qeverinë e ekstremit të djathtë të Izraelit. Autoriteti Palestinez, që është i paefektshëm, kontrollon Bregun Perëndimor dhe ka pak kredibilitet në popullatën që qeverisë. Ndërkaq, Bideni po ashtu përballet me zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024 dhe e bën atë një ndërmjetës më pak ideal.

Aaron David Miller, që ka shërbyer si këshilltar për Lindjen e Mesme gjatë administratave demokratike dhe republikane, tha se theksi që Bideni ka vënë së fundi për zgjidhjen me dy shtete ishte një “pikë aspiruese për të nisur bisedimet”.

“Por, shanset janë shumë, shumë të vogla”, tha ai. “Praktikisht, është një mision i pamundur”.

Çështja e thirrjes për zgjidhjen me dy shtete u ngrit të shtunën gjatë samitit të koalicionit hebrenj republikan në Las Vegas, ku kandidatët republikanë për president kritikuan politikën e Bidenit sa i përket Izraelit dhe thanë se demokratët kanë dështuar të dënojnë mjaftueshëm antisemitizmin në mbarë Shtetet e Bashkuara. Vivek Ramaswamy, që është kandidat për president, tha se Izraeli duhet të ndihet i lirë që të braktisë “mitin e zgjidhjes me dy shtete”.

Shtëpia e Bardhë është e vetëdijshme se thirrjet e Bidenit për zgjidhje me dy shtete janë ambicioze dhe ndoshta edhe të paarritshme në terma afatshkurtër, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i cili nuk ishte i autorizuar që të fliste publikisht për këto çështje. Po ashtu, dihet që Qeveria e Netanyahut, që po përballet me kritika për shkak të dështimit që të parandalojë sulmin e Hamasit, është e përqendruar në operacionin kundër Hamasit dhe nuk po i kushton shumë vëmendje deklaratave të Bidenit për shtetësinë palestineze./rel

Të ngjashme