Trembëdhjetë shtete amerikane dhe kryeqyeti Uashington ngritën padi ndaj platformës TikTok të martën, duke akuzuar aplikacionin që përmban video klipe të shkurtra që përhapen me shpejtësi, se po dëmtojnë shëndetin mendor të të rinjve duke e vënë në përdorim platformën në mënyrë të tillë që të krijojë varësi tek fëmijët.
Paditë u ngritën pas një hetimi në shkallë kombëtare ndaj TikTok-ut, i cili u ndërmor në mars të vitit 2022 nga një koalicion i prokurorëve të përgjithshëm nga dy partitë politike nga shumë shtete, që përfshiu Nju Jorkun, Kaliforninë, Kentakin dhe Nju Xhersin. Të gjitha paditë janë ngritur në gjykata shtetërore.
Në qendër të secilës padi është algoritmi i TikTok-ut, i cili përcakton se çfarë do të shohin përdoruesit e kësaj platforme duke vendosur në faqen kryesore të saj, të quajtur “Për ty”, përmbajtje që i përshtatet interesimit të përdoruesve. Paditë po ashtu theksojnë se platforma i ka krijuar karakteristikat e saj në atë formë që shkaktojnë varësi tek fëmijët, siç janë mundësia për të ndjekur përmbajtjen pafundësisht, njoftime tërheqëse dhe filtra fytyre që krijojnë paraqitje të paarritshme për përdoruesit.
Në padi, Uashingtoni e quajti algoritmin si ‘nxitës të dopaminës’ dhe theksoi se është krijuar qëllimisht që të shkaktojë varësi në mënyrë që kompania të tërheqë vëmendjen e përdoruesve të rinj në mënyrë që ata të kalojnë orë të tëra në këtë aplikacion. TikTok-u e bën një gjë të tillë megjithëse e di se veprime të tilla do të shkaktojnë “dëme të thella psikologjike dhe fiziologjike’, siç është ankthi, depresioni, deformime trupore dhe probleme të tjera afatgjata, sipas padisë.
“Po përfiton nga fakti që me këtë platformë po krijon varësi tek të rinjtë”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Qarkut të Uashingtonit, Brian Schwalb në një intervistë.
“Shprehim mospajtimin tonë të thellë me këto pretendime, shumë prej të cilave besojmë se janë të pasakta dhe krijojnë përshtypje të gabuara. Jemi krenarë me punën që kemi bërë për të mbrojtur të rinjtë dhe do të vazhdojmë të përditësojmë dhe përmirësojmë produktin tonë”, tha zëdhënësi i TikTok-ut Alex Haurek në një përgjigje ndaj padive. “Kemi treguar gatishmëri të punojmë me prokurorët e përgjithshëm në dy vitet e fundit dhe është jashtëzakonisht dëshpëruese që ata ndërmorën këtë veprim në vend që të punojnë me ne në gjetjen e zgjidhjeve konstruktive ndaj sfidave me të cilat përballet e tërë industria”.
Kompania që ka në pronësi këtë rrjet social nuk i lejon fëmijët nën moshën 13 vjeç që të regjistrohen në shërbimin kryesor të tij dhe kufizon një pjesë të përmbajtjes së saj për të gjithë ata që janë nën moshën 18 vjeçe. Por Uashingtoni dhe disa shtete të tjera argumentuan në paditë e tyre se fëmijët lehtësisht mund t’i tejkalojnë ato kufizime, duke u lejuar atyre qasje ndaj përmbajtjes për të rritur përkundër pretendimeve të kompanisë se platforma është e sigurt për fëmijët.
“TikTok-u pretendon se është i sigurtë për të rinjtë, por ky pretendim është larg të vërtetës. Në Nju Jork dhe mbarë vendin, të rinjtë kanë vdekur apo janë lënduar në përpjekje për të realizuar sfidat e rrezikshme të TikTok-ut dhe shumë prej tyre janë të trishtuar, me ankth dhe në depresion për shkak të karakteristikave të TikTok-ut që krijojnë varësi”, tha në një deklaratë Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James.
Paditë po ashtu vendosin në shënjestër edhe aspekte të tjera të kompanisë.
Qarku i Uashingtonit akuzon TikTok-un se po operon si një “ekonomi e palicencuar virtuale” duke ua mundësuar njerëzve të blejnë Monedhat TikTok – një valutë virtuale e kësaj platforme – dhe t’u dërgojë “Dhurata” autorëve të përmbajtjes në TikTok Live, të cilët mund ta këmbejnë me para të vërteta. TikTok-u merr 50 për qind të kontrubutit në këto transaksione financiare, por nuk është regjistruar si platformë për transaksione financiare pranë Departamentit amerikan të Thesarit apo zyrtarët e qarkut, sipas padisë.
Zyrtarët thonë se të rinjtë shpesh shfrytëzohen për përmbajtje seksuale përmes transmetimit të drejtpërdrejt në TikTok, që i ka mundësuar aplikacionit të operojë si një “klub virtual striptizmi’ pa ndonjë kufizim moshe. Ata thonë se përqindja që kompania fiton nga këto transaksione financare do të thotë se ajo përfiton nga shfrytëzimi seksual.
Katërmbëdhjetë prokurorët e përgjithshëm thanë se qëllimi i padive është ta ndalojnë TikTok-un që t’i përdorë këto karakteristika, të vendosë dënime financiare për praktikat e pretenduara të jashtëligjshme dhe të sigurojë dëmshpërblim për përdoruesit që janë dëmtuar.
Shumë shtete kanë ngritur padi kundër TikTok-ut dhe kompanive të tjera teknologjike në vitet e fundit ndërkohë që po rritet vetëdija kundër platformave kryesore të rrjeteve sociale dhe ndikimit gjithnjë e më të madh që ato kanë në jetën e të rinjëve. Në disa raste, sfidat janë bashkërenduar në forma që i ngjajnë mënyrës se si shtetet u organizuan në të kaluarën kundër industrive të duhanit dhe barnave.
Javën e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton paditi TikTok-un duke thënë se kompania po ndan dhe po shet të dhënat personale të të miturve, duke shkelur ligjin e këtij shteti që ndalon praktikat e tilla. TikTok-u, i cili kundërshton këto akuza, po përballet me një padi të ngjashme për të dhënat nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Në të kaluarën disa shtete që udhëhiqen nga republikanët, siç janë Nebraska, Kansasi, Nju Hempshir, Ajova dhe Arkansasi, kanë ngritur padi kundër kompanisë, disa prej tyre pa sukses, me arsyetimin se po dëmtojnë shëndetin mendor të fëmijëve, duke i ekspozuar ata ndaj përmbajtjes së “papërshtatshme” apo duke u mundësuar të rinjëve që të shfrytëzohen seksualisht në këtë platformë. Arkansasi paditi platformën YouTube dhe Meta, e cila është pronare e Facebook-ut dhe Instagramit. Këto platforma po përballen me padi në dhjetëra shtete të tjera nën akuzat se po dëmtojnë shëndetin mendor të të rinjve.
TikTok po përballet edhe me sfida të tjera në nivel kombëtar. Sipas një ligji federal, që hyri në fuqi në fillim të këtij viti, TikTok-u mund të ndalohet në Shtetet e Bashkuara në mesin e janarit nëse kompania pronare e tij ByteDance, me seli në Kinë, nuk e shet platformën deri në atë afat kohor.
TikTok dhe ByteDance po e sfidojnë këtë ligj në gjykatën e apelit në Uashington. Një panel i përbërë nga tre gjykatës muajin e kaluar ka dëgjuar argumentet e palëve dhe pritet që të marrë një vendim, ndaj të cilit mund të parashtrohet ankesë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara./voa/
Ministri Peci shpalos të arriturat e ministrisë së Bujqësisë...
Hamza takon ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, diskutojnë për ...
Shkup: Partitë shqiptare vazhdojnë përplasjet për Ligjin e g...
SPAK njoftim zyrtar për Erion Veliajn, i përgjigjet për kall...
Drenusha e nevrikosur me Gjestin, shkak qasja e tij ndaj Xhe...
Presidenti gjerman shpërndan Parlamentin, cakton zgjedhjet p...