Shtëpia e Bardhë ka thënë se është “thellësisht e shqetësuar” për një sulm ajror izraelit në një shkollë në qytetin e Gazës, të shtunën, i cili, sipas zyrtarëve të mbrojtjes civile, ka vrarë rreth 100 njerëz.
Sulmi është dënuar prej shumë shteteve arabe, Turqisë, Britanisë dhe kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Në shkollë janë strehuar mijëra palestinezë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Shërbimi i Gazës për Emergjenca Civile, i cili ka të dhëna të besueshme për numrin e viktimave, ka thënë se rreth 100 persona janë vrarë si pasojë e sulmit të së shtunës.
Izraeli ka thënë se rreth 20 militantë të Hamasit kanë qenë duke operuar në atë objekt.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Në disa video të publikuara në rrjetet sociale janë parë trupa të gjymtuar nën rrënoja.
“Edhe një herë, shumë civilë të vrarë”, ka thënë nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, njëherësh kandidate e demokratëve në garën presidenciale, teksa ka bërë thirrje për armëpushim në Gazë.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar rreth raportimeve për viktima civile në Gazë, pas një sulmi të forcave izraelite të mbrojtjes në një objekt ku ka qenë shkolla”, ka thënë Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate, duke shtuar se Uashingtoni është në kontakt me Izraelin për të marrë më shumë informacione.
Uashingtoni është përballur me kritika në rritje, përfshirë ato prej grupeve për të drejta të njeriut, për mbështetjen ushtarake ndaj Izraelit.
Sulmi ajror i së shtunës ka ndodhur pasi një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se SHBA-ja do t’ia ndajë Izraelit 3.5 miliardë dollarë për t’i shpenzuar në armë amerikane dhe pajisje ushtarake.
“Ne e dimë që Hamasi i ka përdorur shkollat si lokacione për t’u mbledhur dhe operuar, mirëpo ne kemi thënë vazhdimisht që Izraeli duhet të marrë masa për të minimizuar dëmin te civilët”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur, janë strehuar nëpër shkolla të Gazës, shumica e të cilave janë mbyllur prej nisjes së luftës tashmë 10-mujore.
Sulmi izraelit i së shtunës është më vdekjeprurësi në luftën në Gazë, e cila ua ka marrë jetën gati 40.000 palestinezëve, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Lufta është nxitur prej sulmeve të militantëve të Hamasit në Izrael, më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.
Presidenti amerikan, Joe Biden e pati prezantuar një propozimi për armëpushim, të bazuar të tri faza.
Uashingtoni dhe ndërmjetësuesit rajonalë kanë tentuar qysh atëherë që të arrijnë një armëpushim, mirëpo përshkallëzimi i situatës me raste i ka penguar përpjekjet./rel
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?