Eksponentë të lartë të Partisë Republikane i kërkuan prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, të tërhiqet nga një hetim i FBI-së për ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet amerikane.
Ai është nën presion të madh, pasi u zbulua se kishte takuar të dërguarin rus gjatë zgjedhjeve, pavarësisht se kishte pretenduar më herët se nuk kishte pasur asnjë komunikim me rusët.
Sessions, i cili i quajti akuzat kundër tij të pabesueshme dhe të rreme, doli në një konferencë për shtyp ku sqaroi pozicionin e tij. “Kam vendosur të distancohem nga çdo hetim ekzistues apo në të ardhmen nga çdo çështje ligjore që ka të bëjë në çfarëdo mënyre apo rrethane me fushatën zgjedhore të Presidentit të Amerikës”. Megjithatë, sa i përket takimit me diplomatin rus në SHBA, ai nuk mohoi të ketë biseduar me të, por se kujtesa e tij nuk i sjell në mendje të ketë diskutuar mbi ndonjë çështje specifike politike.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka thënë se ka besim të plotë tek ai.
Duke folur ndërsa po udhëtonte mbi një aeroplanmbajtëse në Virxhinia, Trump tha se nuk ishte në dijeni që Session të ketë pasur takime vitin e kaluar me të dërguarin e Rusisë në SHBA. I pyetur nëse kryeprokurori i Amerikës duhet të tërhiqet nga hetimi i nisur nga FBI, Trump u përgjigj: Nuk mendoj se duhet ta bëjë këtë.
I pyetur nëse prokurori i tij i Përgjithshëm ka thënë të vërtetën në seancën e tij të konfirmimit, Trump tha se “Po, besoj se këtë ka bërë”.
Por demokratët thonë se Sessions ka keqinformuar komisionin e Kongresit dhe se duhet të japë dorëheqjen. Madje ata i kanë kërkuar FBI-së të nisë edhe një hetim penal, nëse Sessions ka gënjyer para Kongresit apo jo.
Pretendimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhje e kanë përndjekur presidentin Trump. Komuniteti amerikan i inteligjencës beson se Rusia qëndron pas sulmeve kibernetike mbi organizmat demokrate gjatë zgjedhjeve, me qëllim që të ndihmonte në fitoren e Trumpit.
Këshilltari për mbrojtjen kombëtare i presidentit Trump, Michael Flynn dha dorëheqjen muajin e kaluar, pasi kishte keqinformuar Shtëpinë e Bardhë për bisedat e tij me ambasadorin rus, që supozohet se kishin të bënin me sanksionet kundër Moskës.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...