Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi të enjten ish-Prokuroren e Përgjithshme të Floridës, Pam Bondi, për postin e Prokurores së Përgjithshme të vendit. Ajo ka qenë prej kohësh një aleate e zotit Trump. Presidenti i zgjedhur e mori këtë vendim me shpejtësi, pasi ish-ligjvënësi Matt Gaetz, zgjedhja e parë e zotit Trump për postin e barazvlefshëm me atë të Ministrit të Drejtësisë, u tërhoq nga emërimi.
Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, zoti Gaetz po përballej me një proces të vështirë konfirmimi për shkak të dyshimeve për vepra penale.
Një aleat i ngushtë i Presidentit të zgjedhur Doanld Trump, ish ligjvënësi republikan Matt Gaetz tërhoqi të enjten emrin e tij nga emërimi për postin e prokurorit të përgjithshëm.
Zoti Gaetz po hetohej nga Komisioni i Etikës në Dhomën e Përfaqësuesve mbi dyshimet për disa vepra penale. Ai ka mohuar të ketë kryer shkelje, por shumë ligjvënës ishin të shqetësuar mbi aftësinë e tij për të drejtuar Departamentin e Drejtësisë.
“Kongresmeni Gaetz, të cilin unë nuk e njoh personalisht, është i njohur si një mbështetës i fortë i Presidentit Trump, por gjithashtu ka qenë subjekt i akuzave të besueshme për sjellje të pahijshme të rënda”, u shpreh senatori demokrat Chris Coons.
Anëtar i Kongresit për një mandat 4-vjeçar dhe anëtar i Komisionit për Shërbimet e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, Matt Gaetz sfidoi udhëheqjen e kryetarit të atëhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy për shkak të atyre që i cilësonte si shpenzime të tepërta qeveritare.
“Kaosi është që popullit amerikan do duhet të përjetojë masat shtrënguese në rast se ne vazhdojmë të kemi deficite vjetore prej 2 trilion dollarësh”, do të shprehej ai në 2 tetor të 2024.
Miliarderi në fushën e teknologjisë Elon Musk lavdëroi zotin Gaetz në fillim të kësaj jave. Pronari i platformës sociale X tha se zoti Gaetz do të jetë, siç u shpreh ai, “çekani i drejtësisë”.
Por shumë senatorë, përfshirë republikanët, shprehën mëdyshje për ta konfirmuar atë pa pasur më shumë informacion mbi akuzat ndaj tij.
“Është thellësisht problematike që në pozicionin më të lartë të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara, të jetë dikush që ka kryer ndoshta krime të rënda. Dhe megjithëse ndaj tij nuk janë ngritur akuza për ndonjë krim, është e rëndësishme që Senati të shqyrtojë sjelljen e tij si nga pikëpamja e etikës dhe ligjit, pavarësisht nëse për këtë sjellje ka patur ajo jo akuza formale”, shprehet Claire Finkelstein, profesore e drejtësisë pranë Universitetit të Pensilvanisë.
Pas njoftimit të zotit Gaetz se do tërhiqej nga emërimi, pati reagime nga ligjvënës të të dyja palëve në Kongres.
“Ka një lloj lehtësimi, mendoj se ai bëri një akt të respektueshëm duke u tërhequr. Mendoj se kjo deklaratë ishte e duhura”, tha senatori republikan i Dakotës së Veriut, Kevin Cramer.
“Vendim i respektueshëm. Të gjithë mendoj se jemi të përqëndruar te administrata e re. Ne duam të jemi mbështetës që të mund të sigurohemi që ajo do jetë e suksesshme”, tha senatori i pavarur Joe Manchin.
“Ju kujtoj se pala që fiton zgjedh njerëzit. Shpresoj dhe pres që do të ketë njerëz të mjaftueshëm që të mund punojmë së bashku. Dhe do ketë disa zgjedhje që do jenë të papranueshme. Por duhet te sjell në vëmendje se ata kanë shumicën në Senat dhe do kenë mundësi të zgjedhin kë të duan. Ky është realiteti, matematika është matematikë”, tha John Fetterman, senator demokrat i Pensilvanisë.
Ndërkohë, e ardhmja politike e zotit Gaetz është e pasigurt, për momentin. Ai dha dorëheqjen papritur nga vendi i tij në Kongres, pasi u përzgjodh për t’u emëruar Prokuror i Përgjithshëm. Au fitoi rizgjedhjen në nëntor për në Kongresin e ri, i cili mblidhet më 3 janar 2025, por është e paqartë nëse do ta marrë detyrën e re./voa/
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...