SHBA: Rusia në shkurt sulmon Ukrainën, Moska mohon

17:06 | 28 Janar 2022
S D

Presidenti amerikan Joe Biden ia bëri të qartë homologut ukrainas, Volomir Zelensky se SHBA beson që Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në muajin shkurt. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Emily Horne, u tha gazetarëve se Biden “e ka thënë publikisht një gjë të tillë dhe ne e kemi paralajmëruar prej muajsh tashmë”.

Me kërkesën amerikane, instanca më e lartë e OKB-së, Këshilli i Sigurimit do të trajtojë krizën në Ukrainë. Qeveria në Uashington i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të trajtojë në një seancë të hënën krizën e Ukrainës, transmeton arbresh.info.

Kjo bëhet “për shkak të kërcënimit të qartë të paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” nga ana e Rusisë, bëri të ditur ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Kryediplomati rus, Sergej Lavrov ka reaguar ndaj deklaratës së Biden, i cili parashikoi se Rusia do ta pushtonte Ukrainën në muajin shkurt. Ai tha se Rusia nuk kërkon luftë dhe është kundër luftërave por nuk do të lejojë as që të shkelen interesat e saj. Shefi i diplomacisë së Kremlinit theksoi se Rusia ka qenë gjithnjë për zgjidhje diplomatike.

“Nëse varet nga Rusia, s’do ketë luftë. Ne nuk duam luftëra. Por as nuk do të lejojmë që interesat tona të shkelen apo të shpërfillen. Amerikanët siç e dini dhe NATO kanë shpenzuar më shumë se një muaj duke studiuar propozimet tona tepër të thjeshta, të cilat u bënë në traktatin mes Uashingtonit dhe marrëveshjen me NATO-n. Dhe vetëm pardje ne morëm një përgjigje në stilin perëndimor, që në shumë mënyra turbullojnë ujërat”, tha Sergej Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë, raporton bbc.

Rusia thotë se nuk dëshiron luftë, por ka vënë një “armë në tryezë” në negociatat e saj me Shtetet e Bashkuara, duke mbledhur trupa në kufirin e Ukrainës, tha sot ambasadori amerikan në Moskë, John Sullivan.

“Nëse vendos një armë në tavolinë dhe them se po vij paqësisht, kjo është kërcënuese. Dhe kjo është ajo që ne shohim tani. Ne shpresojmë që qeveria ruse të kuptojë atë që thotë dhe të mos planifikojë të pushtojë më tej Ukrainën. Por faktet tregojnë se ka aftësinë për ta bërë këtë”, tha Xhon Sullivan, ambasador i SHBA-së në Rusi

Perëndimi ka akuzuar Rusinë se ka grumbulluar rreth 100 mijë trupa në kufijtë e Ukrainës për të cilën ata thonë se duket si një pushtim nga Moska.

https://www.bbc.com/news/world-europe-60164537

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme