SHBA: Rusia dhe Irani po intensifikojnë fushatat dezinformuese për zgjedhjet

08:58 | 5 Nëntor 2024
E.K

Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe ata të sigurisë kanë akuzuar Rusinë dhe Iranin për intensifikimin e sulmeve kibernetike dhe fushatave dezinformuese që thanë se synojnë të ndjellin përçarje, teksa amerikanët më 5 nëntor votojnë në zgjedhjet e tensionuara presidenciale.

Aktorët e ndikimit, të lidhur me Rusinë, “po krijojnë video dhe artikuj të rremë për të minuar legjitimitetin e zgjedhjeve, për të nxitur frikë te votuesit sa i përket procesit zgjedhor dhe duke sugjeruar që amerikanët po përdorin dhunë ndaj njëri-tjetrit për shkak të preferencave politike”, u tha në njoftimin e lëshuar më 4 nëntor nga Zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Byroja Federale e Hetimit dhe Agjencia për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës.

“Këto përpjekje rrezikojnë të nxisin dhunë, përfshirë ndaj zyrtarëve zgjedhorë”, thanë këto agjenci.

Agjencitë e inteligjencës në SHBA për muaj të tërë kanë paralajmëruar se ka përpjekje të mbështetura nga Qeveria ruse për të ndikuar në zgjedhjet amerikane, ku po përballen ish-presidenti republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentja demokrate, Kamala Harris.

Sondazhet para zgjedhjeve sugjeruan se gara do të jetë e ngushtë, duke rritur tensionet, teksa votuesit iu drejtohen kutive të votimeve pas një fushate të ashpër.

Duke përmendur një shembull të taktikave të dezinformimit që po përdoren, agjencitë amerikane thanë përmes njoftimit se aktorët e ndikimit rus së fundi kanë postuar një artikull të rremë që pretendon se zyrtarët amerikanë në mesin e shteteve kryesore – që pritet të përcaktojnë rezultatin zgjedhor – po planifikojnë të orkestrojnë mashtrime zgjedhore duke përdorur një sërë taktikash, përfshirë mbushjen e kutive të votimit dhe sulmeve kibernetike.

Ata thanë po ashtu se aktorët e ndikimit rus kanë krijuar dhe kanë shpërndarë videon e rremë që paraqet deklaratën e një personi i cili pretendon për mashtrim zgjedhor në Arizonë, që përfshin krijimin e fletëvotimeve të rreme nga jashtë shtetit dhe ndryshimin e listave të votuesve për të favorizuar Harrisin.

Sekretari i Shtetit në Arizona veçse ka thënë se këto pretendime janë të rreme.

Përderisa “Rusia është kërcënimi më aktiv”, u tha në njoftim, Irani po ashtu mbetet “një kërcënim i rëndësishëm i ndikimit të huaj” për zgjedhjet amerikane.

“Ne kemi vlerësuar se Irani ka kryer aktivitete dashakeqe kibernetike për të kompromentuar fushatën e ish-presidentit Trump”, thanë agjencitë e inteligjencës.

“Aktorët e ndikimit iranian po ashtu synojnë të krijojnë përmbajtje të rreme mediale, për të penguar votimet apo për të nxitur dhunë, siç kanë bërë edhe në ciklet e kaluara zgjedhore”.

Agjencitë u bënë thirrje votuesve “që të informohen nga burime të besueshme, zyrtare, veçmas nga zyrtarët shtetërorë dhe lokalë zgjedhorë” në dritë të “përpjekjeve të vazhdueshme të ndikimit nga armiqtë huaj dhe rritjes së përmbajtjes joautentike në internet”.

Si Teherani, ashtu edhe Moska kanë mohuar se luajnë rol në ndonjë fushatë dezinformuese gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme