Google ADS

SHBA, rreth 20 milionë amerikanë mund të jenë infektuar me Covid-19

16:16 | 26 Qershor 2020
Arditë Shkodra

Në SHBA numri i vërtetë i rasteve me koronavirus vlerësohet të jetë 20 milionë apo dhjetë herë më e lartë sesa shifra e raportuar. Deri tani mbi 124 mijë amerikanë kanë humbur jetën. E gjithë popullata raportohet se nuk do të lejohet të udhëtojë këtë verë drejt Bashkimit Evropian.

Ekspertët besojnë se 20 milionë amerikanë mund të jenë bartës të infeksionit të kovidit të ri, shifër kjo 10-fish më e lartë sesa bilanci aktual.

Teksa numri i të infektuarve po rritet dita-ditës në shumicën e shteteve amerikane, me gati 40 mijë raste të reja vetëm ditën e enjte, testet serologjike dhe të antitrupave tregojnë se çdo person i diagnostikuar me koronavirus ka mundësinë të infektojë të paktën 10 persona të tjerë.

Sipas agjencisë federale për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shumica e njerëzve nuk i shfaqin simptomat e sëmundjes.

Aktualisht në SHBA rreth 2 milionë e gjysmë amerikanë janë konfirmuar si bartës të virusit, ndërsa mbi 124 mijë ka shkuar numri i viktimave.

Sipas guvernatorit të shtetit të Floridës në juglindje, shqetësim mbetet rritja e shkallës së infektimit mes grupmoshave 18 dhe 34 vjeç.

“Personat që janë në grupet e rrezikuara duhet të bëjnë pjesën e tyre, ndërsa ata më pak të rrezikuarit, sërish duhet të kujdesen që të mos infektojnë të tjerët,” – u shpreh guvernatori Ron Desantis.

Numri i rasteve në SHBA është rritur mesatarisht me gati 25 për qind nga java e kaluar dhe deri 50 për qind në shtetet me popullsi të lartë si Teksasi, Arizona apo Kalifornia.

Të enjten, presidenti republikan, Donald Trump, akuzoi sërish mediet vendëse se ato nuk po i njohin atij meritat për shmangien e miliona viktimave prej kovidit, falë reagimit dhe izolimit të shpejtë të vendit me vatrat globale që ai e urdhëroi që në fazat e para të pandemisë.

Trump tha se rritja e numrit të rasteve tani është thjesht rezultat i shtimit të testimeve.

“Kemi programin më të mirë të testimeve në botë. Na është dashur kohë për të arritur në gati 30 milionë teste, prandaj edhe kemi për të pasur më shumë raste. Por vdekjet po ulen dhe norma e vdekshmërisë është nga më të ulëtat në botë.”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportohet se janë mes tre vendeve me të cilat Bashkimi Europian synon të ndalë udhëtimet për shkak të rrezikut të përhapjes së epidemisë.

Rusia dhe Brazili janë paraprakisht dy shtetet e tjera në listën e zezë të BE-së.C

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme