SHBA, priten shitje rekord gjatë të Premtes së Zezë

07:52 | 24 Nëntor 2017
Arbresh.info

Sezoni i blerjeve fillon këtë fundjavë me ritëm të lartë pas Ditës së Falenderimeve. E quajtur e Premtja e Zezë, pasi kontot e bizneseve që mund të kenë pësuar humbje gjatë vitit, të shënuara me bojë të kuqe, kalojnë në fitime nga volumi i shitjeve, të cilat shënohen me bojë të zezë.

Këtë vit, bazuar edhe në parashikimet për përmirësimin e ekonomisë amerikane, dyqanet e shitjeve mund të kenë xhiro të larta për sezonin e festave.

Vlerësohet se 164 milionë amerikanë, pra rreth 70% e popullsisë, do t’i drejtohet dyqaneve këtë fundjavë të Ditës së Falenderimeve.

Kompania “NationalToday.com”, e cila mat efektet komerciale të ditëve të festave në mbarë botën, thotë se e Premtja e Zezë e këtij viti mund të arrijë një rekord të ri.

“Kjo ditë është shndërruar në ditën madhore të blerjeve dhe me ekonominë në gjendje shumë të mirë, mendojmë se do të jetë më e madhja në histori”, thotë Ben Kaplan, drejtor i kompanisë “NationalToday.com”.

Pritet që çdo amerikan të harxhojë 967 dollarë gjatë sezonit së festave. Federata Kombëtare e Dyqaneve thotë se ky është një rekord për 15 vitet e fundit.

“Papunësia është në nivelin më të ulët. Rrogat janë rritur çdo vit. Pra, i shikojmë konsumatorët në gjendjen më të mirë që nga periudha e krizës ekonomike, dhe mendojmë se do të shpenzojnë më shumë gjatë festave”, thotë Ana Smith, e Federatës Kombëtare të Dyqaneve.

Dyqanet pritet ta shfrytëzojnë frymën festive me orare të zgjatura dhe ulje të mëdha të çmimeve. Ofertat më të mëdha do të jenë për një numër të kufizuar produktesh që synojnë vetëm të tërheqin klientët në dyqane.

“Është më tepër strategji komerciale për të tërhequr publikun dhe janë produkte të kufizuara në numër. Nëse je person që rri në gatishmëri në kompjuter ose mban radhën i pari tek dyqani, ndoshta mund ta kapësh një ofertë, por shumica janë vetëm për të rritur interesimin”, thotë zoti Kaplan.

Konkurrenca për çmime të tilla tepër të ulëta, në veçanti për produktet elektronike, është tipike në këtë ditë. Është edhe një shpjegim për rritjen e lartë të shitjeve në internet dhe nëpërmjet celularëve, të cilat analistët thonë se mund të kalojnë për herë të parë nivelin e 100 miliardë dollarëve.

“Rrjetet e mëdha të dyqaneve, si Walmart dhe Target, po investojnë me shpejtësi në teknologjinë dixhitale, që të mos mbeten prapa tendencave të konsumatorëve”, thotë zonja Smith.

Konsumatorët amerikanë pritet të shpenzojnë deri në 680 miliardë dollarë gjatë sezonit të festave. Shitësit shpresojnë se një pjesë e madhe e kësaj shume do të lëvrohet në ditët në vazhdim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme