Google ADS

SHBA po punon për të sqaruar pozicionin e Turqisë mbi zgjerimin e NATO-s, thotë Shtëpia e Bardhë

00:26 | 14 Maj 2022
Trina Galanxhi

Uashingtoni “po punon për të sqaruar pozicionin e Turqisë” pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan shprehu kundërshtimin e tij ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, ka deklaruar sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Ideja që të dy kombet të bëhen anëtarë të aleancës transatlantike ka marrë mbështetje të gjerë nga vendet anëtare të NATO-s”, tha Psaki, transmeton portal arbresh.info

Sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby, tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të “kuptuar më mirë” qëndrimin e Ankarasë.

“Turqia është një aleate e vlerësuar e NATO-s. Ata kanë qenë të përfshirë dhe kanë ndihmuar në përpjekjen për të nisur dialogun midis Rusisë dhe Ukrainës, dhe kanë ofruar ndihmë për Ukrainën. Pra, asgjë nuk ndryshon për pozitën e tyre në aleancën e NATO-s”, tha ai.

Erdogan u tha gazetarëve të premten se “ne nuk kemi një opinion pozitiv” për anëtarësimin e dy vendeve në aleancë dhe tha se ato strehojnë “organizata terroriste”.

Turqia ka akuzuar prej kohësh vendet nordike, veçanërisht Suedinë, e cila ka një komunitet të fortë emigrantësh turq, se strehojnë grupe ekstremiste kurde, si dhe mbështetës të Fethullah Gulen, predikuesit me bazë në SHBA, i kërkuar për grushtin shtetin e dështuar të vitit 2016.

Pushtimi i Ukrainës nga Moska më 24 shkurt ka nxitur opinionin politik dhe publik në Finlandë dhe Suedi në favor të anëtarësimit në NATO.

Pasi një vend ka vendosur të aplikojë për anëtarësim në NATO, 30 anëtarët e aleancës duhet të bien dakord unanimisht për të bërë një ftesë zyrtare, e cila pasohet nga negociatat e anëtarësimit./afp/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme