Google ADS

ShBA pas alarmit për luftë në rajon: Ballkani perëndimor në BE si kundërpeshë ndaj ndikimit rus

18:14 | 21 Nëntor 2023
KRG

Lufta e Rusisë kundër Ukrainën nënvizon urgjencën dhe rëndësinë e punës së Shteteve të Bashkuara “për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin aspiratat e tyre për integrim europian dhe anëtarësime euro-atlantike”. Këtë e konfirmon Departamenti Amerikan i Shtetit në një reagim për Zërin e Amerikës lidhur me alarmin e ngritur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, se posedonte informacione që Rusia mund të nxisë një konflikt në rajonin tonë.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerët tanë europiane dhe komunitetin ndërkombëtar për të çuar përpara reformat në qeverisje, në sundimin e ligjit, ato zgjedhore dhe në luftën kundër korrupsionit, që do të pakësonin shanset për ndikimin keqdashës rus dhe do të sillnin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe mirëqenie për rajonin”, tha DASH për Zërin e Amerikës.

Zëdhënësi i DASH shtoi më tej se sanksionet e shpallura së fundmi nga qeveria Amerikane javën e kaluar kishin për qëllim pikërisht këtë problem, kryqëzimin mes ndikimin malinj rus dhe korrupsionit. Zyrtari nënvizoi se të dyja këto fenomene pengojnë përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të avancuar drejt anëtarësimit në BE. Zëdhënësi tha se për rajonin tonë por edhe për të gjitha vendet e tjera në Europë, është me një rëndësi shumë të madhe rezultati i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, që po kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare./A2CNN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme