Google ADS

SHBA paralajmëron linjat ajrore që kalojnë mbi Gjirin Persik

22:01 | 18 Maj 2019
Trina Galanxhi

Diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar avionët tregtarë amerikanë që fluturojnë mbi rajonin e Gjirit Persik që të tregojnë kujdes ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Iranit po përshkallëzohen.

Paralajmërimi u bë të shtunën nga diplomatët amerikanë në Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dy ditë pas paralajmërimit që erdhi nga Administrata Federale e Aviacionit.

Diplomatët thanë se aeroplanët amerikanë që fluturojnë mbi këtë zonë rrezikojnë të “keqidentifikohen” mes “aktiviteteve të shtuara ushtarake dhe rritjes së tensioneve politike në rajon”.

Tensionet janë ndezur gjatë ditëve të fundit, duke nxitur shqetësimet për një konflikt të mundshëm SHBA-Iran.

Vetëm pak ditë më parë Shtetet e Bashkuara dislokuan anije luftarake dhe avionë bombardues në rajon si përgjigje ndaj një kërcënimi të mundshëm nga Irani. Kërcënimi, për të cilin nuk janë dhënë shumë detaje, bëri që Shtetet e Bashkuara të vendosin sanksione të tjera ekonomike ndaj Iranit dhe të tërheqin personelin jo të domosdoshëm diplomatik nga ambasada amerikane në Bagdad të Irakut.

Gjiri Persik është një portë kryesore detare për anijet që udhëtojnë nga lindja në perëndim. Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe është më i ngarkuari në botë me udhëtime ndërkombëtare./tsot/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme