Google ADS

SHBA paralajmëron hakerët rus: E dimë kush jeni, do t’u gjejmë

07:41 | 6 Shtator 2024
E.K

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj pesë oficerëve të zbulimit rus dhe një shtetasi civil rus në lidhje me një sulm të madh kibernetik, i cilësuar nga prokurorët amerikanë si goditja e parë e Kremlinit në luftën kundër Ukrainës.

Të enjten, Departamenti i Drejtësisë akuzoi rusët për kryerjen e e sulmit dashakeqës “WhisperGate” në janar të 2022 që synonte të dobësonte infrastrukturën civile të Ukrainës përpara sulmit rus një muaj më pas.

“Sulmi WhisperGate pati si objektiv infrastrukturën civile dhe sistemet kompjuterike ukrainase krejtësisht të palidhura me ushtrinë ose mbrojtjen kombëtare, që përfshijnë agjencitë qeveritare përgjegjëse për shërbimet e urgjencës në Ukrainë, sigurinë ushqimore dhe arsimin, duke synuar dëmtimin e moralit të ukrainasve”, tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Matthew Olsen.

Sulmi “mund të konsiderohet si goditja e parë luftës”, tha agjenti i posaçëm i FBI-së, Bill DelBagno, duke folur së bashku me zotin Olsen gjatë një konference për shtypin në Baltimor të Merilendit.

Akuza e bërë publike të enjten është rezultat i një operacioni të FBI-së të koduar “Ushtarët lodër”, bazohet në akuzat e ngritura fillimisht në qershor kundër 22-vjeçarit rus Amin Stigal, një civil i akuzuar se ka kryer sulm kibernetik për të ndihmuar inteligjencën ruse përpara agresionit ndaj Ukrainës.

Si pjesë e sulmit, Amin Stigal dhe agjentët e Njësisë 21955 të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës Ruse, ose GRU, përdorën infrastrukturën kibernetike të disa kompanive me bazë në SHBA për kryer ato që fillimisht dukej të ishin sulme “ransomware”, sulme në të cilat hakerat kërkojnë para në këmbim të informacioneve të vjedhura, por që synonin në fakt të fshinin të gjitha të dhënat kritike.

Sipas aktakuzës, me Amin Stigalin kanë bashkëpunuar agjentët rusë të njësisë GRU: Vladislav Borovkov, Denis Denisenko, Yuriy Denisov, Dmitriy Goloshubov dhe Nikolay Korchagin.

Zyrtarët e FBI-së thanë se njësia GRU ka operuar gjithashtu me emrat Cadet Blizzard, Ember Bear dhe Dev-0586, duke kryer sulme kibernetike në infrastrukturën kritike në të gjithë Evropën, Amerikën Qendrore dhe Azi.

Përveç akuzave të reja, zyrtarët amerikanë thanë se po ofrojnë një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacion mbi secilin nga rusët e akuzuar.

Zyrtarët thanë se po bashkëpunojnë me Interpolin për të dërguar të dhëna që mund të ndihmojnë në arrestimin e gjashtë rusëve.

“I kemi futur në rreth. Ne e dimë se kush janë ata. Ka një shpërblim mbi ta dhe ne do t’i ndjekim pa pushim”, tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Matthew Olsen.

“Mesazhi është i qartë”, tha ai,”për njësinë GRU, e dime kush jeni e do u gjejmë”.

Ambasada ruse në Uashington nuk i është përgjigjur një kërkese të Zërit të Amerikës për koment.

Një zyrtar kryesor ukrainas vlerësoi aktpadinë e SHBA-ve dhe punën shumëkombëshe që ndihmoi në ngritjen e akuzave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme