Numri i rasteve të reja me koronavirus në mesin e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara është rritur për 40 për qind në dy javët e fundit të muajit korrik, sipas një raporti të publikuar dy javë para se dhjetëra miliona nxënës amerikanë të nisin vitin e ri shkollor, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Ekspertët shëndetësorë janë duke analizuar numrin e të infektuarve në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve, ndërkohë që autoritetet përballen me dilemat nëse duhet rihapur shkollat për mësime në klasa, të vazhdojnë mësimin në distancë, apo të krijojnë sistem të kombinuar.
Presidenti amerikan, Donald Trump, që synon të fitojë një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ka shtyrë përpara idenë që nxënësit të kthehen fizikisht nëpër klasa, mirëpo ekspertët shëndetësorë kanë pasur rezerva për këtë gjë në zonat ku numri i rasteve me koronavirus është rritur dukshëm.
Raporti i ri i Akademisë Amerikane të Pediatërve dhe Asociacioni i Spitaleve për Fëmijë, kanë gjetur që më shumë se 338,000 fëmijë kanë rezultuar pozitivë në sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, prej kur është raportuar për pandeminë.
Vetëm në periudhën 16-30 korrik, është raportuar për 97,078 fëmijë të infektuar me koronavirus në territorin amerikan.
Shumica e të infektuarve janë regjistruar në jug dhe perëndim të SHBA-së është thënë në raport.
Megjithatë, aty nuk janë të dhëna për shkakun e kësaj rritjeje. Shkalla e testimit për koronavirus është rritur në SHBA dhe shqetësimet se fëmijët mund të bartin virusin janë përcjellë nga studime që vërtetojnë se edhe fëmijët mund të infektohen me të.
Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka thënë se fëmijët që infektohen me koronavirus kanë mundësi që të kenë më pak simptoma të rënda.
Kjo Qendër së fundmi ka thënë në udhëzuesin e saj se disa shkolla mund të rihapen përveç nëse komunitetet janë duke u përballur me shkallë të pakontrollueshme të përhapjes së koronavirusit.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi i ri. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, autoritetet amerikane deri më tani kanë regjistruar mbi 5 milionë të infektuar dhe mbi 160,000 të vdekur me COVID-19./rel/
Edi ka një kërkesë specifike ndaj Anisës
Drenusha vendos t’i “maltertojë” banorët e ngujuar në kafaz
Tash një muaj e zhdukur, policia kërkon ndihmë nga qytetarët...
Çeku: Mbrëmë u mbrojt shteti i Kosovës, racizmi nuk ka vend ...
“Arrestimi i personit të gabuar-veprim i kundërligjshëm arbi...
FFK: Racizmi dhe thirrjet anti-Kosovë në Rumani, sulm ndaj v...