SHBA njofton për operacionin e evakuimit të amerikanëve nga Izraeli

20:26 | 12 Tetor 2023
E.G

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Qeveria amerikane do të nisë operimin e fluturimeve për evakuimin e amerikanëve që duan të largohen nga Izraeli, përderisa Izraeli ka paralajmëruar se po përgatitet të përshkallëzojë aksionin hakmarrës ndaj militantëve palestinezë të Hamasit në Rripin e Gazës.

Fluturimet nga Izraeli, me amerikanët që duan të largohen, pritet të nisin të premten, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Qeveria amerikane është përgatitur që të realizojë të paktën katër fluturime në ditë nga Izraeli për në Frankfurt, Gjermani, thanë burimet e afërta me këtë çështje për agjencinë Associated Press.

Ky njoftim vjen në kohën kur Shtëpia e Bardhë tha se numri i amerikanëve të vrarë gjatë dhunës mes Izraelit dhe Hamasit tashmë ka arritur në 27.

Mijëra persona janë vrarë në Izrael dhe Gaza që kur Hamasi nisi sulmin e befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor. Izraeli u kundërpërgjigj ashpër me sulme në Rripin e Gazës.

Katërmbëdhjetë shtetas amerikanë në Izrael konsiderohen të zhdukur.

Shtëpia e Bardhë po ashtu ka konfirmuar se disa amerikanë janë në mesin e dhjetëra personave që Hamasi ka marrë si pengje.

Më 12 tetor, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi Izraelin, ku u takua me kryeministrin e këtij shteti, Benjamin Netanyahu.

Vizita e kryediplomatit amerikan në Izrael kishte për qëllim shfaqjen e mbështetjes për Izraelin, por edhe mbështetjes në përpjekjet për të liruar pengjet.

Blinken tha po ashtu se amerikanët do të vazhdojnë të kërkojnë korridore të sigurta për të hyrë dhe dalë nga Gaza, gjë që do të mund të ndihmonte qindra civilë amerikanë që mund të jenë të bllokuar në Rripin e Gazës gjatë luftimeve.

Që kur militantët e Hamasit kryen sulme të befasishme nga toka, ajri dhe deti ndaj Izraelit, ky i fundit është kundërpërgjigjur ashpër me bombardime të vazhdueshme në Rripin e Gazës, ku jetojnë mbi 2 milionë palestinezë.

Autoritetet izraelite, që kanë shpallur gjendje lufte, po ashtu kanë paralajmëruar se po përgatiten për një pushtim të mundshëm tokësor të Gazës, e cila që nga viti 2007 udhëhiqet nga Hamasi./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme