Google ADS

SHBA: Nga sulmi ajror në Mosul janë vrarë 105 civilë

10:19 | 26 Maj 2017
Arbresh.info

Së paku 105 civilë janë vrarë në sulmin ajror të Shteteve të Bashkuara në qytetin verior irakian, Mosul, në muajin mars të këtij viti, ka konkluduar një raport i ushtrisë amerikane.

Cak i bombës së hedhur më 17 mars ishin dy snajperë të grupit ekstremist, Shteti Islamik, tha mbrëmë hetuesi udhëheqës, gjeneral Matthew Isler.

Ky sulm e kishte aktivizuar eksplozivin të cilin militantët e kishin vendosur në një ndërtesë, tha ky gjeneral amerikan dhe ka shtuar se 101 civilë, të tubuar në katet e poshtme të ndërtesës, ishin vrarë derisa ajo ishte shkatërruar, ndërsa katër të tjerë ishin vrarë në ndërtesën e afërt.

Nuk dihet asgjë për 36 civilë të tjerë.

Shtetet e Bashkuara më herët patën pranuar se “me gjasë” kishin rol në këto vrasje, por se kjo ishte e paqëllimshme.

Në më muajin tetor të vitit të kaluar, forcat e qeverisë së Irakut e kanë lansuar një ofensivë madhore, të mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për sulme ajrore, për rimarrjen e qytetit Mosul, që është baza kryesore e militantëve të Shtetit Islamik në Irak.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme