SHBA, New Mexico shpallet “zonë fatkeqësie” si pasojë e zjarreve

23:10 | 5 Maj 2022
Trina Galanxhi

Shteti amerikan New Mexico është shpallur “zonë fatkeqësie” për shkak të zjarreve që janë përhapur në rreth 650 kilometra katrorë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rreth 20 për qind e zjarrit, i cili filloi më 6 prill në 5 vendndodhje në New Mexico, mund të mbahej nën kontroll, ndërkaq flakët u përhapën në një sipërfaqe prej rreth 650 kilometra katrorë.

Anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Teresa Leger Fernandez, në një deklaratë për këtë çështje, njoftoi se presidenti amerikan, Joe Biden, miratoi shpalljen e një “zone fatkeqësie” në mënyrë që të fokusohet në përpjekjet për të kontrolluar zjarrin.

Fernandez tha se shpallja e zonës së fatkeqësisë do të japë një kontribut të rëndësishëm në eliminimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarret dhe rindërtimin e rajonit.

Zyrtarët e zjarrfikësve thanë se ishin në gjendje të parandalonin që zjarri të afrohej më pranë Las Vegas, New Mexico dhe në fshatrat përreth, falë kushteve të favorshme të motit dhe aktiviteteve të shuarjes së zjarrit të mbështetur nga aeroplanë dhe helikopterë.

Rreth 15.500 familje në malet Sangre de Cristo përreth Las Vegasit u evakuuan, ndërsa rreth 170 shtëpi u dëmtuan në zonë.

Në rajonet jugore të New Mexicos, më shumë se 200 shtëpi u dëmtuan nga zjarri, ndërsa 2 persona humbën jetën në katastrofë.

Autoritetet deklarojnë se personat që u evakuuan nga shtëpitë e tyre me shpalljen e zonës së fatkeqësisë do të vendosen në rajon pasi të krijohen kushtet e përshtatshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme