Shtetet e Bashkuara janë të përqëndruara në “sjelljen e ardhshme” të Arabisë Saudite dhe presin nga Riadi të përmirësojë respektimin e të drejtave të njeriut, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit të hënën.
Deklarata pason saksionet e sapo-njoftuara nga Uashingtoni ndaj disa figurave saudite, si ndëshkim për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, megjithëse nuk pati sanksione ndaj Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman.
Departamenti i Shtetit ritheksoi nevojën që SHBA të vazhdojë të ketë marrëdhënie me Arabinë Saudite.
“E kemi bërë krejt të qartë se do të vazhdojmë ta trajtojmë vrasjen e Jamal Khashoggit si sjellje të papranueshme. Në të njëjtën kohë, ka rëndësi për interesat amerikane, ndërkohë që i mëshojmë nevojës për përparim të vazhdueshëm ndaj reformave (nga sauditët), të garantojmë se ky partneritet i rëndësishëm mbetet mbi themele të forta dhe vazhdon të avancojë objektivat tona të përbashkëta në Lindjen e Mesme,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Shtetet e Bashkuara bënë publik të premten një raport ku thuhej se princi trashëgimtar saudit kishte miratuar në 2018 një operacion për të kapur ose vrarë gazetarin. Si rezultat SHBA vendosën sanksione kundër disa individëve dhe organizmave.
Grupe për të drejtat e njeriut dhe të tjerë u shprehën me kritika për mungesën e sanksioneve kundër princit bin Salman, duke ngritur pikëpyetje për seriozitetin e administratës së Presidentit Biden në zotimet për të trajtuar me prioritet respektimin e të drejtave të njeriut në marrëdhëniet me vende të tjera.
35-vjeçari Mohamed bin Salman, de facto sundimtar i vendit, ka hedhur poshtë çdo rol në vrasjen e gazetarit, për të cilën autoritetet saudite dënuan me burg tetë vetë. Princi ka thënë se mbi të bie përgjegjësia që ky akt u krye ndërkohë që ai është në krye të vendit.
“Ne jemi të përqëndruar tek sjellja e sauditëve në të ardhmen, prandaj veprimet e sotme nuk janë një ndërprerje, por ri-kalibrim” në marrëdhëniet Uashington-Riad, tha zëdhënësi Ned Price në një konferencë për shtyp.
“Po përpiqemi të përqëndrohemi tek problemet në sistem, që qëndrojnë në themel të vrasjes brutale të Jamal Khashoggit,” tha zoti Price.
Shtetet e Bashkuara përshëndetën lirimin kohët e fundit të dy aktivistëve për të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite, tha zëdhënësi, por nënvizoi se Riadi duhet të bëjë më shumë dhe të heqë ndalimin e udhëtimeve ndaj aktivistëve.
“I bëjmë thirrje Arabisë Saudite të marrë hapa shtesë duke hequr ndalimin e udhëtimeve ndaj aktivistëve të liruar, t’u anulojë periudhën e mbetur të dënimit si dhe të zgjidhë çështjet e tjera me aktivistë për të drejtat e grave e të drejta të tjera,” tha ai.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të hënën se SHBA rezervon të drejtën për t’i vënë sanksione Princit Mohamed bin Salman.
Khashoggi, shtetas saudit me të drejtë qëndrimi të përhershëm në SHBA, ishte gazetar opinionist për Washington Post, i cili pat shkruar disa artikuj shumë kritikë ndaj politikave të princit bin Salman. Pasi e vranë, një ekip operativësh që njihen për lidhje me Princin bin Salman i copëtuan trupin në konsullatën saudite në Stamboll në tetor 2018.
Të premten, SHBA veçoi Forcën e Ndërhyrjes së Shpejtë, një njësi e gardës mbretërore saudite që është angazhuar edhe më parë në operacione kundër disidentëve. Uashingtoni ka tani në listën e personave të përjashtuar nga marrja e vizës amerikane 76 sauditë të tjerë.
Zoti Price tha se nuk mund të bënte publike emrat e rinj të personave në këtë listë dhe nuk pranoi të thoshte nëse edhe Princi bin Salman ishte mes tyre. SHBA i ka bërë thirrje Arabisë Saudite të shpërbëjë Forcën e Ndërhyrjes së Shpejtë, shtoi zoti Price./VoA/
Akanji flet për çështjen e titullit kampion: Tani nuk është ...
Vullneti: Gjesti po luan me Drilonin që të e fitojë vendin n...
Gjysmë orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë, kj...
Aksidentohet autobusi me 58 persona në Norvegji, raportohet ...
Jashari, lojtari më i mirë i gjysmësezonit tek skuadra e tij
Për herë të gjashtë radhazi, Drenasi shpallet kampion në Gra...