Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin njoftoi të hënën në Kiev për një ndihmë të re në armatime me vlerë prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën, gjatë një vizite në shenjë solidariteti vetëm dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së që po ngjallin pasiguri mbi të ardhmen e mbështetjes perëndimore.
Udhëtimi i Sekretarit Austin, vizita e tij e katërt dhe ndoshta e fundit si shef i Pentagonit gjatë administratës së Presidentit Joe Biden, u përqendrua në përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar Kievin të forcojë mbrojtjen e tij, ndërsa forcat ruse po fitojnë terren ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme në Ukrainën lindore.
Zoti Austin e cilësoi luftën e Ukrainës kundër agresionit të Presidentit rus Vladimir Putin si kritike për sigurinë e vetë Perëndimit, duke thënë se nëse ndërpritet mbështetja për Kievin, “hija e Putinit” do të binte mbi gjithë Evropën.
“Të gjithë duhet të kuptojmë se sulmi i Putinit është një paralajmërim. Është një pamje e parë se si do të ishte një botë e ndërtuar nga tiranët dhe banditët – një botë kaotike, e dhunshme e ndarë në sfera ndikimi,” tha ai në një fjalim gjatë vizitës.
Ndërsa zoti Austin mbërriti me tren në Kiev pas një udhëtimi gjatë natës nga Polonia, zyrtarët ukrainas njoftuan për sulme të reja ruse gjatë natës në kryeqytet që dëmtuan ndërtesa banimi dhe plagosën të paktën një civil.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha në një deklaratë në platformën X se kishte folur me Sekretarin Austin për lehtësimin e kufizimeve për përdorimin e armëve të dërguara nga SHBA për të goditur objektivat në thellësi të territorit rus.
Por ndërsa administrata e Presidentit Biden është në përfundim të mandatit, zoti Austin nuk njoftoi ndonjë ndryshim në politikën e Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim. Megjithatë ai njoftoi për municione, automjete të blinduara dhe armë antitank shtesë për Ukrainën.
Vizita e Sekretarit Austin vjen përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA, ku ish-presidenti Donald Trump, kandidati republikan, po kërkon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë në një garë të ngushtë kundër Nënpresidentes Kamala Harris, kandidatja demokrate.
Zoti Trump ka sinjalizuar se ndryshe nga zoti Biden, ai do të hezitonte të vazhdonte mbështetjen për Ukrainën, gjë që mund ta privonte Kievin nga mbështetja e Uashingtonit, përkrahësi i tij më i madh ushtarak dhe financiar. Zoti Austin e hodhi poshtë këtë shqetësim.
“Kam parë mbështetje dypartiake për Ukrainën gjatë 2-1/2 viteve të fundit dhe pres plotësisht që të vazhdojmë të kemi mbështetje dypartiake nga Kongresi,” tha ai.
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes, duke folur në kushte anonimiteti, tha se 600 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur deri tani në luftën me Ukrainën.
Por Presidenti Putin vazhdon të dërgojë gjithnjë e më shumë forca në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, të cilin Moska e pretendon si territorin e saj.
“Është një luftë shumë e ashpër dhe një sprovë e vështirë”, tha zoti Austin për sfidat me të cilat përballen forcat ukrainase.
Ndërkohë, Kievi është përpjekur ta mbajë vëmendjen e Perëndimit tek lufta e tij përballë Rusisë, megjithë shqetësimet ndërkombëtare për konfliktin në Lindjen e Mesme./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...