Google ADS

SHBA ndan edhe 400 milionë dollarë për Ukrainën – për herë të parë dërgon dronë special

23:17 | 25 Korrik 2023
E.H

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar ukrainasve një paketë të re ndihme ushtarake me vlerë 400 milionë dollarë.

Kështu ka njoftuar Ministria amerikane Mbrojtjes, e cila ka dhënë edhe disa detaje në lidhje me këtë.

Në ndihmën më të fundit janë përfshirë drone Hornet, të cilët po dërgohen për herë të parë në shtetin ukrainas, raporton reuters.

Gjithashtu do të ketë municione për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe sistemet kombëtare të avancuara të raketave tokë-ajër (NASMS), sisteme anti-ajrore Stinger, më shumë municione për sistemet raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), transportuesit të blinduar për personel Stryker dhe një sërë raketash.

Duke komentuar njoftimin e ndihmës, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken theksoi se po vazhdojnë sulmet e Rusisë ndaj porteve të Ukrainës dhe infrastrukturës që nga tërheqja prej marrëveshjes së grurit.

“Rusia mund t’i japë fund kësaj lufte në çdo kohë duke tërhequr forcat e saja nga Ukraina dhe duke ndaluar sulmet brutale kundër qyteteve dhe njerëzve të Ukrainës. Derisa ta bëjë këtë, Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë do të qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën, për aq kohë sa të duhet”, tha Blinken.

Paketa financohet nga një autorizim presidencial, i cili lejon dërgimin e pajisjeve ushtarake nga arsenali amerikan pa miratimin e Kongresit.

Kjo është paketa e 43-të e ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën dhe që nga fillimi i pushtimit rus, SHBA-të i kanë dorëzuar Kievit armë me vlerë më shumë se 43 miliardë dollarë. /Telegrafi/

Të ngjashme