NATO dhe vendet aleate kanë rënë dakord të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën ndërsa ajo përballet me sulmet ruse, pas një takimi të organizuar nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, i cili
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin priti homologët nga dyzet vende aleate në bazën ajrore Ramstein në Gjermani për të mobilizuar mbështetjen për Ukrainën.
“Ukraina beson qartë se mund të fitojë. Të gjithë ata që janë këtu e besojnë gjithashtu këtë.”
Duke folur me gazetarët, Sekretari Austin tha se forcat ruse kanë pësuar humbje të konsiderueshme.
“Ne duam të sigurohemi përsëri që ata të mos kenë të njëjtën aftësi për të sulmuar fqinjët e tyre siç ndodhi në fillim të këtij konflikti.”
Zoti Austin tha se tridhjetë vende kishin premtuar 5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë 3.7 miliardë dollarë nga Shtetet e Bashkuara.
“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për Ukrainën. Kështu që ne duhet të lëvizim me shpejtësinë e luftës”, tha ai.
Deri më tani, Gjermania ka refuzuar të furnizojë Ukrainën me armë të rënda, por Berlini konfirmoi të martën se do të dërgojë 50 tanke ‘Gepard’ të pajisura me armë kundërajrore.
“Kjo është pikërisht ajo që tani i duhet Ukrainës për të siguruar hapësirën e saj ajrore nga toka”, tha ministrja gjermane e mbrotjes Christine Lambrecht.
Perëndimi është detyruar të veprojë, thotë Fabrice Pothier, ish-drejtor i planifikimit të politikave të NATO-s.
“Është e qartë se situata në terren ka ndryshuar. Dhe lloji i masakrave civile që po shohim, ka ndryshuar qasjen ndaj konfliktit”, thotë ai.
Lufta në Ukrainë është zhvendosur tani në rajonin lindor të Donbasit, ku nevojat ushtarake janë të ndryshme, thotë analisti Bradley Bowman.
“Pra, kemi të bëjmë me zona më të gjëra dhe më të hapura. Artileria do të jetë një pjesë kyçe e kësaj lufte. Pala që mund të ketë më shumë zjarr artilerie të dërguar me saktësi dhe shpejtësi ndoshta do të fitojë luftën”, thotë ai.
Retorika e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën gjithashtu ka ndryshuar. Sekretari Austin foli vazhdimisht për një fitore të Ukrainës.
“Nëse kombinon guximin, aftësinë dhe gatishmërinë e forcave ukrainase për të mbrojtur shtëpitë e tyre kundër këtij sulmi të paprovokuar me mbështetjen perëndimore, e cila do të duhet të vazhdojë për një kohë të gjatë, atëherë mendoj se në aspektin afatgjatë kjo do të jetë një katastrofë e madhe strategjike për Putinin. Por në aspektin afatshkurtër, situata në terren nuk është e qartë”, thotë analisti Bowman.
Megjithatë, ka ende dallime brenda anëtarëve të NATO-s, thotë zoti Pothier.
“Ka një përplasje mes atyre që mendojnë se ky është momenti ku ne mund të fitojmë luftën dhe të mposhtim agresionin e Putinit dhe atyre që shprehin shqetësimin ndaj përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë ose poshtërimit të saj dhe duan një ndërprerje të luftës sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë ai.
Rusia paralajmëroi të hënën se furnizimi i Ukrainës me armë nga vendet perëndimore rrezikon fillimin e “Luftës së Tretë Botërore”. Sekretari Austin i quajti këto komente “të rrezikshme dhe të padobishme”.
Edhe Britania i hodhi poshtë komentet e Moskës dhe tha se nuk shihte një rrezik të menjëhershëm përshkallëzimi./VoA/
Big Brother Vip Albania, ja ndryshimet që do të ndodhin
Assesi të këndellet City, dështon të fitojë edhe ndaj Feynor...
Kryeministri libanez u bën thirrje palëve të zbatojnë dhe t&...
ShBA-ja dhe Franca mirëpresin armëpushimin Izrael-Liban
Arsenal, Atalanta dhe Leverkuseni fitojnë me debakël ndeshje...
Presidenti izraelit: Marrëveshja e armëpushimit me Libanin d...