Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar dërgimin e aeroplanëve luftarakë F-16 në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda, ashtu që vendi të mbrohet nga pushtuesit rusë, në momentin kur përfundon trajnimi i pilotëve, ka thënë një zyrtar amerikan.
Ukraina ka kërkuar vazhdimisht që të pajisjet me aeroplanët amerikanë F-16 për ta luftuar ushtrinë ruse edhe nga ajri.
Uashingtoni u ka dhënë garanci zyrtare Danimarkës dhe Holandës se Shtetet e Bashkuara do ta përshpejtojnë miratimin e kërkesës për dërgimin e aeroplanëve në Ukrainë, sapo të përfundojë trajnimi i pilotëve, ka thënë ky zyrtar, pa u identifikuar.
“Ne e mirëpresim vendimin e Uashingtonit për ta hapur rrugën drejt dërgimit të aeroplanëve luftarakë F-16 në Ukrainë”, ka thënë ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra.
“Tani, ne do ta diskutojmë këtë çështje me partnerët tanë evropianë”.
Edhe Danimarka ka thënë se do ta diskutojë këtë çështje.
“Qeveria e ka thënë disa herë se donacioni është hap i natyrshëm pas trajnimit. Ne jemi duke diskutuar këtë gjë me aleatët e ngushtë dhe pres që shumë shpejt të jemi më konkretë”, ka thënë ministri danez i Mbrojtjes, Jakob Ellemann-Jensen
Një koalicion prej 11 shtetesh pritet të nisë trajnimin e pilotëve ukrainas për përdorim të aeroplanëve F-16 këtë muaj në Danimarkë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Danimarkë, Troels Poulsen, ka thënë në muajin korrik se shteti pret “rezultate” nga trajnimi, në fillim të vitit 2024.
Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përkrahur programin e trajnimit për pilotët ukrainas qysh prej majit.
Përveç trajnimeve në Danimarkë, një qendër tjetër trajnuese ishte planifikuar të krijohej edhe në Rumani.
Një ditë më parë, Kievi ka thënë se nuk pret që këtë vjeshtë dhe dimër t’i sigurojë aeroplanët F-16.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë privatisht se F-16 do të mund t’i ofrojnë pak ndihmë Ukrainës në kundërofensivën e saj aktuale, dhe nuk do ta ndryshojnë tërësisht rrjedhën e luftës, për shkak të situatës me qiej të kontestuar mbi Ukrainë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/
Rrahmani jep një mesazh të fortë në konferencë për media pas...
Skandal pas skandali në Rumani/ Tentohet të sulmohet Edon Zh...
Bajram Shala: Pati edhe racizëm dhe sjellje racore, hera e d...
Futbollistët dardan nuk kthehen në fushë, gjqytari e mbyll n...
Gjyqtari kryesorë u jep ultimatum futbollistëve dardan tR...
Ky është parashikimi i motit për vikend