SHBA me pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

12:09 | 24 Gusht 2024
K.B

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes njoftoi një pako të re ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë rreth 125 milionë dollarë.

Ndihma e fundit ushtarake përfshin raketa të mbrojtjes ajrore, municione për sistemet raketore, raketa antitank, sisteme dhe pajisje antidronë.

Presidenti Biden tha se ndihma e re vjen në vijim të një sërë hapave historikë që SHBA ka ndërmarrë me aleatët dhe partnerët e saj në muajt e fundit për të mbështetur Kievin. Biden theksoi sërish se këto vende do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Ukrainës në çdo hap.

Ndërsa Ukraina feston Ditën e Pavarësisë, forcat e saj ushtarake vazhdojnë të zgjerojnë sulmet në territorin rus, ku sipas tyre kanë marrë rreth 100 kilometra katrorë territor në rajonin e Kurskut.

Trupat ruse, ndërkohë thonë se po përparojnë në rajonin Donjeckut në Ukrainën lindore, rreth qytetit të Pokrovskit, një qendër e rëndësishme logjistike për ushtrinë ukrainase. Në fjalimin për Ditën e Pavarësisë, presidenti ukrainas kërkoi sërish përshpejtimin e ndihmës mbrojtëse, duke theksuar se mbërritja e dërgesave me armatime në kohë i shërben mbështetjes së ushtarëve në vijën e parë të frontit.

“Unë jam krenar për të gjithë ata që mbrojnë shtetin dhe pavarësinë tonë. Sot është dita e Harkivit, një qytet vërtet heroik. Ne do të bëjmë gjithçka për të rivendosur sigurinë e plotë”- u shpreh Zelensky.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj më shumë se 400 kompanive dhe individëve për shkak të mbështetjes së luftës ruse në Ukrainë.

Departamenti i Shtetit njoftoi se mes të sanksionuarve ka edhe firma kineze, që sipas Shteteve të Bashkuara po ndihmojnë Moskën t’u shmanget sanksioneve të Perëndimit dhe të forcojë ushtrinë e saj.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se vendosi sanksioneve edhe ndaj rrjeteve ndërkombëtare të përfshira në shitjen e municionit dhe materialeve të tjera të cilat mbështesin zinxhirët e furnizimit të industrisë së ushtrisë ruse./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme