Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë një pako të re ndihmash ushtarake për Ukrainën me vlerë 1.2 miliardë dollar, për të forcuar më tej mbrojtjen e saj ajrore, ndërsa Rusia vazhdon të godasë Ukrainën me dronë dhe raketa, thanë zyrtarët amerikanë të hënën.
Pakoja e re e ndihmës pritet të njoftohet të martën dhe paratë do të sigurohen nga Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës. Ndryshe nga pajisjet, armët dhe municionet amerikane që dërgohen më shpesh në Ukrainë nga rezervat e Pentagonit, në mënyrë që ato të mund të dërgohen shpejt, këto para do të shpenzohen gjatë muajve apo edhe viteve të ardhshme për të përmbushur nevojat e ardhshme ushtarake të Ukrainës.
Fondet e reja do të financojnë sistemet e mbrojtjes ajrore HAWK, municione për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe dronët për mbrojtjen ajrore. Sipas zyrtarëve, këto fonde do të përdoren edhe për blerjen e artilerisë, raketave, pajisjeve për imazhet satelitore, mirëmbajtjen e pajisjeve dhe pjesë këmbimi për një sërë sistemesh të mbrojtjes. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti sepse pakoja e ndihmës ende nuk është njoftuar zyrtarisht.
Përfshirë këtë pako, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës rreth 37 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Kievit në shkurt të vitit 2022.
Vendimi për ndihmën e re ushtarake vjen ndërsa Ukraina po përgatitet të nisë një ofensivë pranverore kundër forcave ruse dhe vazhdon të ketë vështirësi në fushën e mbrojtjes ajrore.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 35 dronë të prodhuar nga Irani mbi Kiev në sulmin e fundit të natës nga Rusia, thanë zyrtarët të hënën. Mbetjet nga një dron goditën një ndërtesë apartamentesh në lagjen perëndimore të Svyatoshynskyit në Kiev, ndërsa mbetjet e tjera goditën një makinë të parkuar aty pranë, duke i vënë flakën asaj, tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, në një postim në platformën Telegram.
Rusia bombardoi 127 objektiva në pjesët veriore, jugore dhe lindore të Ukrainës, duke vrarë tre civilë, tha ministria e mbrojtjes e Ukrainës.
Duke u përballur me sanksione ekonomike dhe kufizime në zinxhirët e saj të furnizimit për shkak të pushtimit të Ukrainës, Rusia shpesh ka përdorur dronë “Shahed” të Iranit për të forcuar arsenalin e saj të armëve sulmuese. Pakoja e re amerikane e ndihmës ushtarake për Ukrainën, përfshinë edhe armë dhe mbështetje më të menjëhershme ushtarake, si sisteme për rrëzimin e dronëve./VOA
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren