Administrata e Presidentit Joe Biden ka mbajtur në fuqi masat mbrojtëse për ish-Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe njërin prej këshilltarëve të tij kryesorë, të cilët kanë qenë objekt kërcënimesh të vazhdueshme nga Irani.
Departamenti i Shtetit njoftoi Kongresin në fund të muajit të kaluar se kërcënimet kundër zotit Pompeo dhe të dërguarit amerikan për Iranin gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Brian Hook, vazhdojnë të jenë “serioze dhe të besueshme” dhe për këtë arsye masat mbrojtëse të ofruara nga qeveria duhet të vazhdojnë.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë shtuar, që kur filloi lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Ato u përshkallëzuan më tej të mërkurën pasi dhjetra vetë humbën jetën nga shpërthimet në Iran gjatë një ceremonie përkujtimore për komandantin e Gardës Revolucionare të Iranit, Qassem Soleimani, i cili u vra në një sulm ajror të SHBA-së në Bagdad më 3 janar 2020.
Ish-sekretari Pompeo dhe ish-i dërguari Hook ishin fytyrat publike të fushatës së “presionit maksimal” të SHBA-së kundër Iranit pasi ish-presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018. Irani i ka fajësuar të dy ata për vrasjen e Soleimanit.
Është hera e 16-të që Departamenti i Shtetit miraton masat mbrojtëse për zotin Hook që kur ai la detyrën në janar 2021 dhe hera e 13-të që i miraton këto masa për zotin Pompeo. Ish-sekrertari Pompeo gëzonte automatikisht mbrojtje për disa muaj pas largimit nga detyra.
Agjencia Associated Press njoftoi në mars 2022 se Departamenti i Shtetit paguante më shumë se 2 milionë dollarë në muaj për masat mbrojtëse për dy ish-zyrtarët.
Njoftimet nuk e identifikojnë konkretisht Iranin si burimin e kërcënimeve, por zyrtarët iranianë kanë shprehur prej kohësh pakënaqësinë e tyre ndaj ish-sekretarit Pompeo dhe ish-të dërguarit Hook lidhur me politikën e administratës së ish-presidentit Trump ndaj Iranit, përfshirë përcaktimin e Korpusit të Gardës Revolucionare si “organizatë e huaj terroriste”, sanksionet e pashembullta ndaj saj dhe organizimin e vrasjes së Soleimanit./voa
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...