Qeveria e SHBA ka njoftuar, se do të heqë një numër kufizimesh të vendosura ndaj Kubës. Ministria e Jashtme amerikane deklaroi, se do të rifillojë mes të tjerash një program, të ndërprerë prej disa vitesh, që lehtëson migrimin e anëtarëve të familjeve të kubanezëve që jetojnë në SHBA.
Po ashtu do të hiqet kufiri i vendosur për transferat e parave nga SHBA në Kubë, maksimumi 1000 dollarë për tremujor. Përveç kësaj do të rritet numri i fluturimeve midis dy vendeve.
Njëkohësisht, qeveria në Uashington theksoi se vazhdojnë të mbeten në fuqi sanksionet financiare kundër disa kubanezëve dhe institucioneve të caktuara. Puna është se duhet „reaguar” ndaj „situatës humanitare” në Kubë dhe i duhet dhënë mundësia popullsisë për „zhvillim ekonomik”, deklaroi një përfaqësues i lartë amerikan.
Qeveria kubane përshëndeti njoftimin për lehtësimet duke e quajtur „hap i vogël në drejtimin e duhur”. Megjithatë, deklaroi në twitter ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodríguez, kjo nuk ndryshon „as synimet as instrumentet kryesorë të politikës së pasuksesshme të SHBA kundrejt Kubës”.
Pas afrimeve historike midis Kubës dhe SHBA-së në vitet 2014 deri 2016, nën presidentin amerikan Barack Obama, marrëdhëniet midis dy vendeve u ftohën dukshëm nën presidentin Donald Trump. Pasardhësi i tij, Joe Biden, la deri tani në fuqi të gjitha sanksionet e vendosura kundër Kubës, por është duke ndërrmarrë së fundi një ndryshim të kujdesshëm kursi.
Marrëdhëniet midis shtetit komunist të Karaibeve dhe SHBA janë politikisht tepër delikate jo vetëm tani për shkak të migrantëve të shumtë kubanezë. Kryetari i komisionit të jashtëm të senatit, i së njëjtës parti me Bidenin, Bob Menendez, deklaroi pa humbur kohë, se: „Njoftimi i sotëm bart me vete rrezikun, që mesazhi i gabuar t’u dërgohet njerëzve të gabuar në kohë të gabuar dhe për arsye të gabuara”.
Në fund të muait prill, SHBA dhe Kuba zhvilluan për herë të parë pas katër vitesh bisedime direkte të nivelit diplomatik për migracionin. Mes të tjerash u fol për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese të migracionit, duke pasur parasysh edhe rritjen e fundit të migracionit ilegal nga vendi socialist i Karaibeve drejt SHBA. Ministria e Jashtme kubaneze, kritikoi mes të tjerash se SHBA nuk respekton marrëveshjen bilaterale për të garantuar 20 mijë viza në vit për kubanezët. Një punonjës amerikan i nivelit të lartë tha, se tani kjo shifër do të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur.
Personeli i ambasadës së SHBA në Havana, u reduktua para disa vitesh në minimum për shkak të “sindromës së Havanës “. Që nga viti 2016, dhjetra diplomatë amerikanë që jetonin në kryeqytetin kubanez dhe pjesëtarë të familjes së tyre, janë ankuar për dhimbje të çuditshme koke, humbje dëgjimi, marrje mendsh dhe të vjella. Më pas edhe në vende të tjera të botës u njoftuan ankesa të tilla. Në një raport të shërbimit sekret të SHBA-së në shkurt të këtij viti, thuhet se rastet e „sindromës Havana” janë shkaktuar me qëllim nga një lloj rrezatimi elektromagnetik./DW/
Sot në Kamenicë zbulohet shtatorja e heroit Metush Krasniqi
Sot hapet Konventa e Industrisë së Drurit të Kosovës
Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...
Më 3 dhjetor mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 202...