Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të shtunën se kishte diskutuar mbi agresionin rus në Ukrainë me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi në bisedime që zgjatën më shumë se pesë orë, gjatë të cilave ai ngriti shqetësime mbi afrimin e Pekinit me Moskën.
Të dy diplomatët e përshkruan takimin e tyre të parë që nga tetori si “të sinqertë”.
Ata i mbajtën bisedimet një ditë pasi morën pjesë në një mbledhje të ministrave të jashtëm të G20-ës në ishullin indonezian të Balit.
Zoti Blinken tha në një konferencë shtypi pas bisedimeve se nuk mendonte se Kina po sillej në një mënyrë neutrale pasi e kishte mbështetur Rusinë në Kombet e Bashkuara dhe kishte “përforcuar propagandën ruse”.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se presidenti kinez Xi Jinping e kishte bërë të qartë në një telefonatë me Presidentin Vladimir Putin më 13 qershor se i qëndronte një vendimi për të krijuar një partneritet me Rusinë.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për pasoja, përfshirë sanksionet, nëse Kina ofron mbështetje materiale për luftën.
I pyetur për refuzimin e tij për të zhvilluar bisedime me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në takimin e G20-ës, zoti Blinken tha SHBA nuk sheh “asnjë shenjë për momentin se Rusia është e përgatitur të përfshihet në diplomaci kuptimplote.”
Sipas një deklarate të lëshuar nga ministria e jashtme kineze, zoti Wang shkëmbeu pikëpamje të thelluara mbi “çështjen e Ukrainës” gjatë bisedimeve të së shtunës.
Deklarata nuk jepte detaje të mëtejshme.
Ai i tha gjithashtu zotit Blinken se drejtimi i marrëdhënieve SHBA-Kinë rrezikonte të devijohej më tej për shkak të perceptimit amerikan për Kinën.
Kryediplomati kinez tha se Uashingtoni duhet të anulojë tarifat shtesë të vendosura ndaj Kinës sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndërpresë sanksionet e njëanshme ndaj kompanive kineze.
Zyrtarët amerikanë kishin thënë para bisedimeve se takimi kishte për qëllim ruajtjen e ekuilibrit në marrëdhëniet e vështira SHBA-Kinë dhe parandalimin e përshkallëzimit të paqëllimshëm në konflikt.
“Shtetet e Bashkuara duan që kanalet e komunikimit me Pekinin të vazhdojnë të mbeten të hapura,” tha zoti Blinken.
Presidentët Joe Biden dhe Xi Jinping pritet të bisedojnë përsëri në javët e ardhshme, tha zoti Blinken.VOA
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?